Futboll

Pasi arrin shifrën e 50 golave me Madridin, Mbappe pranon presionin

Kylian Mbappe

Kylian Mbappe ka dërguar shifrën e golave të shënuar për Real Madridin në 50, ndërsa skuadra mbretërore spanjolle u kthye nga disavantazhi 1:0 për të fituar 2:1 ndaj Marseilles, të martën mbrëma në ndeshjen e xhiros së parë të fazës së ligës në Champions.

Mbappe shndërroi në gola penalltitë e minutës së 29-të dhe të 81-të në ndeshjen në “Santiago Bernabeu”.

50 golat e Mbappes janë shënuar në 64 ndeshje me gjigantin spanjoll.

“Është kënaqësi të jesh këtu dhe të shijosh një tjetër natë të Ligës së Kampionëve”, ka thënë ylli francez. “Ishte një natë disi e vështirë, pasi mbetëm me 10 lojtarë për një kohë. Por ofruam shpirtin e Ligës së Kampionëve në Bernabeu. Është gjithnjë kështu në stadiumin tonë, pavarësisht se çka ndodhë. Ne gjithnjë presim të fitojmë. Këtë herë fituam dhe jemi të lumtur”.

Marseille kaloi në epërsi me golin e Timothy Weah në minutën e 22-të, ndërsa Madridi mbeti me një lojtar më pak në fushë në minutën e 72-të. Dani Carvajal u përjashtua pasi goditi me kokë portierin e ekipit francez.

“Po ndihem shumë mirë”, theksoi Mbappe, që ka gjashtë gola në pesë ndeshjet me Madridin në fillim të edicionit. “Dua që të lëvizim së bashku në drejtim të njëjtë, që të fitojmë trofe”.

Mbappe ka thënë se i duhet të ndiej presionin e situatave, si në rastin e gjuajtjes së penalltive të martën.

“Më duhet kjo për të ofruar më të mirën. Kështu që jam shumë i kënaqur që i kam realizuar penalltitë dhe kam kontribuuar që të fitojmë ndeshjen e parë në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve”.

Golat e tij ndihmuan Madridin që të arrijë 200 fitore dhe 700 gola në epokën moderne të Ligës së Kampionëve.

Mbappe, që u zgjodh më i miri i ndeshjes, ishte golashënuesi më i mirë i Madridit në edicionin e kaluar, që ishte i pari pas transferimit nga PSG-ja.

“Nuk vendosi limite për veten. Dua vetëm që ta ndihmojë ekipin. Nëse kjo do të thotë shënim i golave, atëherë duke shënuar gola. Nëse do të thotë të bëj presion, atëherë do të bëj presion, nëse do të thotë të asistoj, atëherë do të bëj asistimet. Dua të ofroj atë që ekipi ka nevojë”, ka vazhduar 26-vjeçari.

Mbappe ka treguar që trajneri Xabi Alonso ka kërkuar intensitet nga lojtarët në sulm.

“Ai dëshiron që ne ta fitojmë topin shpejtë. Ne duhet të kuptojmë çka po bëjmë dhe të kemi përkushtimin ta bëjmë këtë pasi duam të fitojmë. Unë gjithnjë bëj atë që e kërkon trajneri. Këtë herë më kërkoi të bëj presion përpara, pasi kishim një bllok të lartë dhe është dashur të rikuperojmë topin. Sa më shumë që e bëjmë këtë, më e lehtë do të jetë. Dhe kjo do të ndihmojë ekipin që të fitojë trofe”.