Që kur e mori drejtimin e Dritës, trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Zekirija Ramadani, në mendje e kishte vetëm një qellim - ta shpallte skuadrën gjilanase kampione të Kosovës në futboll.
Me fitoren 1:0 të shënuar të dielën ndaj Llapit, Drita e siguroi titullin e kampionit për edicionin 2024/2025.
Ramadani mund të mburret që Dritës ia ktheu titullin që e priste për pesë vjet.
Për Dritën është titulli i katërt. Të parin e kishte fituar në edicionin 2002/03. Më pas triumfoi në kampionat edhe në edicionin 2017/18 dhe së fundi në edicionin 2019/2020.
47-vjeçari Ramadani është prej trajnerëve më të suksesshëm në futbollin kosovar.
Ai ka katër tituj të kampionit me skuadra të ndryshme.
Shkupjani e ka fituar titullin edhe me Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën.
“Me titullin e kampionit duhet të jemi të kënaqur, jo vetëm unë si trajner por të gjithë, stafi drejtues, tifozët. Titulli i mbyll të gjitha ecuritë negative që kemi pasur në disa javë. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe duhet të kuptojmë se edhe pse arritëm që katër xhiro para fundit të shpallemi kampionë, muajin e fundit kemi pasur shumë probleme me lëndime. Jam shumë i kënaqur me ecurinë e skuadrës këtë vit. Mendoj se mundemi së bashku me futbollistët që të japim edhe më shumë për Dritën dhe për futbollin kosovar”, ka thënë Ramadani të hënën për KOHËN.
Meritat më të mëdha për suksesin, Ramadani ua adreson futbollistëve.
“Futbollistët janë akterët kryesorë për fitimin e titullit. Ata janë që kanë dhënë maksimumin në stërvitje, kanë derdhur shumë djersë në çdo stërvitje. Në katër ndeshjet e fundit ne do ta japim maksimumin me futbollistët që i kemi në dispozicion”, ka shtuar trajneri i Dritës.
Si kampione, Drita do të paraqitet në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në kualifikimet e Championsit ishte paraqitur edhe në edicionin 2018/19 dhe 2020/2021.
Për të synuar fazën grupore të kupave evropiane, Ramadani kërkon përforcime.
“Na duhen përforcime, na duhet një skuadër edhe më e shëndoshë dhe me një konkurrencë më të madhe brenda grupit. Synimi ynë i parë do të jetë që ta kalojmë raundin e parë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve për shkak se asnjë skuadër deri më sot nuk e ka kaluar. Me një kalim në rundin e dytë të kualifikimeve të ‘Championsit’, plejofin e Ligës së Konferencës e kemi të garantuar. Dhe me një fitore në plejof edhe grupet në Ligën e Konferencës do t’i kemi të sigurta. Kemi mundësi për të bërë ekip, kemi mundësi që ta shtojmë konkurrencën. Shpresoj që do të marrim përforcimet e duhura në mënyrë që këtë vit të arrijmë në grupe dhe ta vazhdojmë traditën e skuadrave kosovare, siç e ka bërë Ballkani deri në vitin e kaluar”.
Ballkani ka dominuar në futbollin kosovar gjatë tri edicioneve të fundit. E fitoi tri herë rresht titullin e kampionit. Ka marrë pjesë dy herë në grupet e Ligës së Konferencës.
Tani Drita e ka fjalën kryesore, ndërsa Ramadani synon të shkruajë tjetër histori suksesi.