Titullar nga fillimi i sezonit, deri në fund. 38 paraqitje nga 38 sa i ka i gjithë sezoni.
Vetëm një herë i zëvendësuar. Një gol që pati vlerën e tri pikëve në fushën e Genoas. Një asistim në ndeshjen e parë të drejtpërdrejtë me Interin që u mbyll 1:1. Mbi të gjitha, ai ishte lider i mbrojtjes së Napolit.
“Pas këtij sezoni, Amir Rrahmani nuk do të kujtohet më si dora e djathtë e Kalidou Koulibalyt apo Kim-Min Jaes. Kësaj radhe, ai ishte lider i mbrojtjes”, ka shkruar “Tuttomercatoweb” në shkrimin që ia ka kushtuar kapitenit të Kosovës të shtunën.
31-vjeçari nuk hasi në vështirësi me këdo që luajti në mbrojtje.
Telashe me lëndime kishin Alessandro Buongiorno e Juan Jesus. Por ai ishte stabil në mbrojtje edhe me Rafa Marinin e Mati Oliveran.
“Kush do ta thoshte këtë kur ai u transferua pesë vjet më parë në mesin e mijëra dyshimeve”, ka pyetur gazeta e njohur italiane.
Pas vetëm një sezoni në Hellas Verona, u largua nga skuadra ku mbrojtësi më i mirë vlerësohej të ishte Marash Kumbulla. Fillimisht pas transferimit, ai ishte prapa Kostas Manolasit dhe Koulibalyt. Më pas ishte përkrah senegalezit në qendër të mbrojtjes, e më pas ishte ndihmës i Kimit.
Viti i kaluar mund të cilësohet si më i vështiri për Rrahmanin. Por edicioni i sivjetmë, më i miri.
Krahasuar me dy vjet më parë, qendërmbrojtësi kosovar kishte rol krejtësisht ndryshe.
“Amiri është ushtar, robot. Ai është si kompjuter. Më ka befasuar sepse është punëtor i madh. Duhet t’i tregoni diçka, më pas ai e mban mend dhe e aplikon menjëherë”, kishte thënë Conte për Rrahmanin pak kohë më parë.
“Këto fjalë e shpjegojnë rritjen e një futbollisti që asnjëherë nuk ka qenë në plan të parë. Futbollisti i cili duhej djersitur deri në pikën e fundit për lavdinë që tani e ka arritur. Pa qenë nën hije apo në rol të përkrahësit”, ka mbyllur shkrimin “Tuttomercatoweb”.
Rrahmani përveç në ndeshjen ndaj Interit, asistim pati edhe ndaj Bolognas.
Por ai i së premtes mbrëma në fitoren 2:0 ndaj Cagliarit në golin që e shënoi Romelu Lukaku dhe që e vendosi sfidën, ishte më i vlefshmi. Ishte asistim për titull kampioni në Serie A.
Amir Rrahmani tani ka dy tituj në Serie A brenda tre vjetësh. Në Serie A ka bërë përvojë të madhe, pasi ka zhvilluar 182 ndeshje në total, me 11 gola e gjashtë asistime. Ai vlerësohet shumë i rëndësishëm edhe te Kosova. Kapiteni 31-vjeçar i “Dardanëve” ka zhvilluar 60 ndeshje, ndërsa ka kontribuuar me shtatë gola.