Me fituesin e Topit të Artë, Ousmane Dembele, jashtë fushave për shkak të lëndimit, liga franceze ka gjetur një yll të ri.
Pak i njohur para transferimit te Strasbourgu nga Alavesi spanjoll në verë, Joaquin Panichelli ka nisur furishëm në Ligue 1.
23-vjeçari luan në qendër të sulmit, ndërsa është vendimtar në ekipin e ri të trajnerit Liam Rosenior dhe fillimin pozitiv të kampionatit.
Sulmuesi i fuqishëm ka shënuar shtatë gola në tetë ndeshje në ligë, ndërsa ka ndihmuar Strasbourgun të renditet i treti, me vetëm dy pikë më pak se Marseille i vendit të parë.
Panichelli është golashënuesi më i mirë i kampionatit francez. Në ndeshjen e fundit, atë të së premtes ndaj PSG-së, argjentinasi i shënoi dy gola në barazimin 3:3. Dy gola i kishte edhe në fitoren 5:0 ndaj Angersit.
“Paraqitja e tij ndaj PSG-së ishte prej më të mirave që kam parë ndonjëherë nga një sulmues. Golat e tij ishin të jashtëzakonshëm. Ai e udhëhoqi vijën e sulmit në mënyrë të pabesueshme”, ka thënë trajneri Rosenior.
Ndikimi i Panichellit në lojën e Strasbourgut është masiv. Ai ka shënuar gol për çdo 89 minuta të kaluar në fushë. Luajti në të gjitha tetë ndeshjet kampionale, ndërsa startoi në shtatë prej tyre. Ai ndihet komod si sulmues i vetëm, por edhe përkrah Emanuel Emeghas. Lojtari i fundit i Strasbourgut që ka shënuar shtatë gola në tetë ndeshjet e para në ligë ishte Casimir Koza në edicionin 1962/1963.
“Nuk më befason pasi ajo që e bën në stërvitje paralajmëron këtë. Ai punon shumë dhe është kënaqësi të bashkëpunosh me të”, ka thënë Rosenior.
Panichelli iu bashkua Strasbourgut si pjesë e një ndryshimi të madh në këtë skuadër. Djali i një ish-futbollisti, Panichelli e mësoi futbollin në Argjentinë. Nuk ia doli të lërë gjurmë në River Plate dhe kaloi tek Alavesi në Spanjë. Lëndimet frenuan zhvillimin e tij fillestar. Pas rikuperimit u huazua te Mirandesi në kategorinë e dytë spanjolle, ndërsa i shënoi 20 gola.
Prej aftësive të tij si sulmues tani po përfiton skuadra franceze.