Futboll

Osimheni kërcënon me largim nga Kupa e Afrikës dhe kthim te Galatasaray

Victor Osimhen

Ylli i Nigerisë, Victor Osimhen, ka kërcënuar me largim nga kampi i përfaqësueses në Marok dhe kthim te Galatasaray. Ai e bëri kërcënimin pas përplasjes që kishte në fushë me Ademola Lookmanin në fitoren 4:0 të Nigerisë ndaj Mozambikut. Ndeshja e së hënës mbrëma i takoi një të tetës së finales në Kupën e Afrikës në futboll.

Incidenti ndodhi në minutën e 62-të kur Osimheni iu vërsul Lookmanit. Duket që mosmarrëveshja kishte të bënte me një pasim. Sulmuesi i Galatasarayt është raportuar se i ka thënë bashkëlojtarit: “dëgjo, është lojë ekipore”.

Kapiteni Wilfried Ndidi është munduar ta qetësojë Osimhenin, që menjëherë këkoi zëvendësim nga selektori Eric Chelle. Ai nuk u përfshi më në lojë, ndërsa u zëvendësua në minutën e 68-të.

Shpërthimi i Osimhenit vazhdoi edhe më pas, rrugës për në zhveshtore. Ai refuzoi të marrë pjesë në festën për fitore.

Media të shumta kanë raportuar se në zhveshtore 27-vjeçari ka hequr akreditimin e tij dhe ka kërcënuar se do të largohet nga grumbullimi e do të kthehet te klubi i tij.

Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshja e Osimhenit me bashkëlojtarin është zgjedhur.

Ndërkohë Lookman është munduar të qetësojë situatën.

“Ekipi fitoi 4:0. Vic është numri një i yni. Të gjithë e dinë këtë. Ai është top-sulmues dhe top-lojtar. Të gjitha të tjerat nuk janë të rëndësishme”, ka thënë Lookman.

“Nuk ka çështje. Është vetëm futboll. Gjithnjë vetëm futboll. Ai është vëllai im”.

Duke komentuar për situatën, selektori i Nigerisë, Eric Chelle ka theksuar se ajo që ndodh në fushë mbetet në fushë. Ai ka paralajmëruar se do të flasë me lojtarët për çështjen.

“Ajo që ndodh në fushë do të mbetet brenda grupit. Nuk kam nevojë t’u tregoj njerëzve se çka ndodhi. Do ta mbaj këtë për grupin dhe për vete. Do të flasim më pas”, ka thënë Chelle.

“Ne kemi fituar ndeshjen e rëndësishme. Nëse duam të jemi ambiciozë duhet të kemi cilësi në fushë. Dhe zhvillimet dinamike mund të kthehen lehtë në negative. Puna ime tani është të mbaj lojtarët shumë të fokusuar në seancat stërvitore dhe në sjelljet e tyre”.

Osimhen i shënoi dy gola në fitoren e Nigerisë. Lookman, që luan për Atalantan, e shënoi një gol, ndërsa Akor Adams i Sevillas e shtoi një tjetër.

Ndeshjen çerekfinale, Nigeria e luan më 10 janar. Vlerësohet prej përfaqësueseve favorite për triumf në Kupën e Kombeve të Afrikës.