Futboll

Një stadium në Francë do ta marrë emrin e ish-selektorit të Kosovës

Alain Giresse

Për “Kupën Giresse”, legjendat e sportit nga klubi Varietes dhanë spektakël në dobi të UNICEF-it. Fabien Barthez, Richard Gasquet, Claude Puel... Shumë personazhe të famshme udhëtuan për në Balma për “Kupën Giresse”

E organizuar këtë fundjavë nga Balma Sporting Club në dobi të UNICEF-it, “Giresse Cup” mblodhi më shumë se 500 lojtarë të rinj. Udhëheqësi i këtij turneu futbolli, që organizohet nga viti 2021, është legjenda e Francës, Alain Giresse. Ai ka ftuar miqtë e tij nga “Varites club de France” për të luajtur një ndeshje revyale kundër një ekipi vendas. Rezultati përfundimtar ishte 6:3 për ekipin Varietes, ku kapiten ishte ish-selektori i Kosovës, Alaine Giresse. Në ndeshje ishin edhe legjenda të futbollit dhe sportit francez, si ish-portieri legjendar i Francës, Fabian Barthez, pastaj Marius Tresor, Sidney Govou, Souleymane Diawara, Richard Gasquet, Dominique Rochateau, Claude Puel, Jean – François Domergue dhe të tjerë.

40 ndeshje në vit

“Klubi Varietes de Francë është një familje e madhe”, thekson Jacques Vendroux, themelues i ekipit ikonik. Gazetari sportiv, i cili po hyn në vitin e tij të 55-të si drejtor i përgjithshëm i Varietes shtoi se “ne luajmë vetëm për kauzë bamirëse”.

“Varietes luan 40 ndeshje në vit. Kur një anëtar i klubit na kërkon të luajmë ndeshje, ne e bëjmë dhe përfshihemi. Ke yje të mëdhenj, mesatarë, të vegjël dhe njerëz të panjohur në dhomën e zhveshjes. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme”.

Sipas Claude Puel, “nxjerrja në pah e një organizate si UNICEF, është e jashtëzakonshme”.

Një qëllim i veçantë nga Alain Giresse.

“Ky turne na lejon të komunikojmë vlerat e sportit përmes asaj që mbron UNICEF-i – të drejtën për kohë të lirë për fëmijët. Është gjithashtu një mënyrë për të demonstruar se futbolli mund të mirëpresë të gjithë të rinjtë”, ka thënë Giresse.

Në videon e publikuar nga sajti “ladepeche.fr”, Giresse shihet duke luajtur mirë me top.

Kauza për të drejtat e fëmijëve

Presidentja e UNICEF-it, Odile Laurent-Mallet, është e kënaqur me iniciativën në mbështetje të Konventës ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

“Për ne kjo përbën një mbështetje të vlefshme, në një kohë kur po e kemi gjithnjë e më të vështirë të mbledhim fonde, duke pasur parasysh kontekstin kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Kauza ka emocionuar edhe kryetarin e Bashkisë së Balmes, Vincent Terrail-Noves. Ai ka vlerësuar ish-selektorin e Kosovës.

“Alain Giresse është një njeri me zemër, i cili ka vlera dhe bindje. Do t’i propozojë këshillit bashkiak që fusha kryesore e stadiumit të mbajë emrin e tij”, ka thënë ai.

Kupa Giresse është në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në të gjithë botën. I sponsorizuar nga Alain Giresse, ky turne promovon idealet e sportit dhe solidaritetit.

Giresse ishte shkarkuar nga posti i selektorit të Kosovës në qershor të vitit 2023. Ai u emërua selektor i Kosovës më 23 shkurt të vitit 2022. Nën drejtimin e tij, Kosova nuk pati sukses. Nga 14 ndeshje pati katër fitore, gjashtë barazime dhe katër humbje.

Giresse si lojtar e ka fituar vendin e tretë me Francën në Kupën e Botës të vitit 1986.

VIDEO: