Futboll

Nisje e mbarë e lojtarëve të Kosovës në vitin më të rëndësishëm

kosove

Fundi i vitit 2025 për disa futbollistë që bartin barrën kryesore te Përfaqësuesja e Kosovës ishte pozitiv. Disa shënuan gola e disa të tjerë dhanë kontribut me asistime për klubet e tyre.

Por edhe viti 2026 ka nisur mbarë për lojtarët që janë shtyllë e Kosovës.

Kapiteni Amir Rrahmani dhe zëvendëskapiteni Vedat Muriqi shënuan gola të dielën për Napolin, përkatësisht Mallorcan.

Për sulmuesin kryesor të Kosovës, Muriqin, ishte goli i dhjetë në La Liga këtë edicion, ndërsa për mbrojtësin Rrahmani i pari në Serie A në edicionin 2025/2026.

Napoli fitoi në kampionatin italian, ndërsa Mallorca pësoi disfatë në La Liga.

Krahas golave, Rrahmani e Muriqi shfaqën formë të mirë për klubet e tyre.

Forma e mirë e lojtarëve i duhet si kurrë më parë Kosovës, që ëndërron kualifikimin historik në Kupën e Botës.

Paraqitje pozitive kishin edhe Edon Zhegrova, Mërgim Vojvoda, e po ashtu portieri Arijanet Muriq, i cili u vlerësua me notë të lartë në barazimin e Sassuolos në Serie A. Për të tjerë lojtarë nuk kanë nisur ende kampionatet. Por vitin 2025 e mbyllën me paraqitje të mira edhe Fisnik Asllani, Milot Rashica, Leon Avdullahu, Albian Hajdari dhe disa të tjerë.

Forma e mirë e futbollistëve në klubet e tyre do t’i shërbente shumë Kosovës para ndeshjes kundër Sllovakisë.

Kosova më 26 mars e luan ndaj Sllovakisë në Bratislavë ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Gjysmëfinalja tjetër është ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë. Fituesit e dy përballjeve luajnë në finale. Nëse Kosova fiton gjysmëfinalen, atëherë do të jetë vendëse në finalen që luhet më 31 mars.

Për të kaluar në finale, Kosovës i duhet një tjetër paraqitje e madhe nga lojtarët në Bratislavë.

“Urojmë ta mbajnë formën e mirë të gjithë lojtarët dhe të mos kenë lëndime, në mënyrë që ta kemi të kompletuar ekipin për finalet e marsit. Fillimisht ndaj Sllovakisë e më pas edhe kundër Turqisë apo Rumanisë”, ka thënë drejtori i Përfaqësueses, Muharrem Sahiti.

Forma e mirë e Muriqit dhe Rrahmanit është komentuar shumë në Spanjë dhe Itali.

“Vedat Muriqi ishte e vetmja pikë e ndritshme në humbjen e Mallorcas ndaj Gironas. ‘Pirati’ ishte sërish ylli i mbrëmjes, duke shndërruar në gol penalltinë që e fitoi vetë. Ai renditet pas Kylian Mbappes dhe Ferran Torresit në listën e golashënuesve. Sulmuesi kosovar është një nga lojtarët kryesorë në planet e trajnerit Arrasate. Muriqi po kalon një sezon të shkëlqyer për sa u përket golave, por ai është shumë i vetmuar në këtë aspekt. Samu Costa është golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit këtë sezon me tre gola”, shkruan “Ultima Hora”, mediumi i afërt me klubin e Mallorcas.

Ndërkohë, mbrojtësi Amir Rrahmani ka zënë vend në 11-shen më të mirë të javës në Serie A.

Në mediumet e Italisë, Rrahmani shfaqet si mbrojtës që kryen detyrat e tij në mënyrën më të mirë të mundshme.

Vetë Rrahmani është i kënaqur me formën. Për Rrahmanin në konferencën për shtyp ka folur edhe trajneri Antonio Conte. Tekniku italian i vlerëson lart cilësitë e kosovarit.

Cilësia që po shfaqin lojtarët për klubet e tyre, sidomos ata në top-ligat evropiane, i duhet  Kosovës në mars.