Me prekjen e fundit të topit në ndeshje, portieri i Benficas, Anatoliy Trubin, gjuajti me kokë me saktësi në drejtim të portës kundërshtare për ta mbyllur fazën e ligës në Champions në mënyrë të pabesueshme.
Ukrainasi nuk pritej të shënonte gol kur doli para në minutën e 98-të, për ta shpëtuar nga eliminimi nga gara, Benfican e udhëhequr nga Jose Mourinho.
Benfica ishte duke fituar 3:2 dhe i duhej edhe një gol për ta kaluar Marseillen dhe për të dalë në pozitën e 24-t, duke e siguruar vendin në plejofin e fazës nokaut.
Pasi kishin përfunduar të gjitha ndeshjet e tjera të mërkurën mbrëma, të gjithë sytë ishin kah Lisbona – dhe te Trubini, që qartë dallohej me fanellën me ngjyrë të verdhë, teksa po shkonte kah zona e Madridit për tentimin e fundit në ndeshje.
I gjatë 198 centimetra, 24-vjeçari dikur njihej si “Thibaut Courtois i Ukrainës” nga shokët e skuadrës te Shakhtar Donetsku, klubi i fëmijërisë, të cilit iu bashkua si i ri në vitin 2014.
Dhe ishte pikërisht Courtois ai i cili e nxori topin jashtë portës në sekondat e fundit të ndeshjes së zhvilluar në “Estadio da Luz” në Lisbonë të Portugalisë. Teksa Trubini vrapoi dhe rrëshqiti mbi bar, ai ndiqej nga secili bashkëlojtar. Gëzimi i triumfit ndaj Madridit, 15 herë kampionit të Evropës, mund të jetë eksperiencë e rrallë. Por, kjo nuk ishte hera e parë për Trubinin.
Në tetor të vitit 2020, ai ishte 19-vjeçar kur debutoi në Ligën e Kampionëve për Shakhtarin, që e shtangu Madridin në “Santiago Bernabeu”, duke e mposhtur 3:2. Ishte natë të cilën Trubini nuk do ta harrojë kurrë.
“Vetëm në ëndërr mund ta imagjinosh këtë”, kishte thënë ai për “GiveMeSport” në tetor të vitit 2025. “Por, kjo më ndodhi mua. Isha i lumtur. Ndeshja mund të shkonte edhe më mirë, por në atë kohë, e kuptova se ishte vetëm fillimi”.
Dhe tani Trubini ka bërë edhe më mirë, kësaj radhe, emri i tij ishte i shkruar në listën e golashënuesve. Momentet e tilla duhet të jenë të këndshme për Trubinin, i cili u detyrua të largohej nga shtëpia si 13-vjeçar, për ta ndjekur ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist. Trubini lëvizi në Kiev kur Shakhtari u detyrua të shpërngulej nga qendrat stërvitore që i kishte, drejt kryeqytetit ukrainas, pasi pjesë të regjionit të Donbasit u morën nga forcat separatiste pro-ruse, në vitin 2014.
“Familja jonë jetonte vetëm pak minuta larg qendrës stërvitore të Shakhtarit dhe duhej të ishte shumë e përshtatshme”, ka thënë ai për “Goal.com” në prill të vitit 2022. “Por një moment, unë u desh të largohesha nga shtëpia. Ishte shumë e vështirë për mua dhe për prindërit e mi, të cilët nuk më panë për afro gjashtë muaj. Ata e dinin se unë e dua futbollin, dhe besoj se ata nuk kanë dashur të më ndalonin. Unë vetëm po e ndiqja ëndrrën, por në rrethana krejtësisht të ndryshme”.
Trubini ende ishte duke luajtur për Shakhtarin në shkurt të vitit 2022 dhe ëndërronte që një ditë të luante në “Donbas Arena” në Donetsk, kur Rusia e pushtoi Ukrainën. Shumë lojtarë vendorë u larguan nga shteti, por Trubini dhe familja e tij qëndruan në vend, dhe lëvizën në Lutsk, në veriperëndim.
Trubini më pas iu bashkua Benficas në verën e vitit 2023. Ai asnjëherë nuk e përmbushi ëndrrën fëmijërore që të luante në “Donbas Arena”, por me krenari e ka përfaqësuar shtetin e tij në 26 ndeshje. Ai debutoi nën udhëheqjen e legjendës së futbollit ukrainas, Andriy Shevchenko, në vitin 2021, dhe ishte zëvendësues i papërdorur në Kampionatin Evropian të atij viti. Luajti dy herë në “Euro 2024” dhe ndërsa lufton për vendin e titullarit me Andriy Luninin e Madridit teksa Ukraina po bëhet gati për gjysmëfinalen e plejofit të Botërorit kundër Suedisë në muajin mars.
Nëse Ukraina avancon, do të përballet me Poloninë apo Shqipërinë për vendin që dërgon në Kupën e Botës. Do të ishte hera e dytë në histori të këtij shteti që kualifikohet në Botëror. E para ishte në vitin 2006.
“Për Ukrainën. Për ata që dinë si luftohet deri në fund”, ka shkruar Trubin në llogarinë e tij personale në Instagram.
“E dinim se Turbini mund ta bënte këtë”, ka thënë Mourinho për “TNT Sports” pas mbrëmjes në fitoren dramatike. “Ishim duke humbur në Porto javë më parë dhe në minutën e fundit, ai shkoi në zonë dhe për pak sa nuk shënoi. Kështu që e dinim se çfarë është në gjendje të bëjë ky djalosh i gjatë. Kualiteti i shërbimit është gjëja më e rëndësishme. Duhet ta dërgosh topin aty, por ka qenë gol jashtëzakonisht i bukur për këtë djalosh”.
Ishte goli i parë në karrierën e Trubinit. Tani ai do të njihet si portieri që shënoi kundër Madridit në sekondën e fundit, në ndeshjen vendimtare.
“Nuk e dija çfarë na duhej, dhe i pashë të gjithë duke më thënë që të shkoj para”, ka thënë Trubin për “Associated Press”. “E pashë trajnerin kështu që shkova para, hyra në zonë dhe nuk e di... Nuk di çfarë të them. Ishte moment i çmendur. Nuk di çfarë të them. Nuk jam mësuar të shënoj. Jam 24-vjeçar dhe kjo ishte hera e parë. E pabesueshme”.
Benfica avancoi tutje nga pozita e 24-t me nëntë pikë në tetë ndeshje. Real Madridi mbeti jashtë tetë pozitave të para që dërgojnë direkt në 1/8 e finales së Championsit. Me 15 pikë mbeti në vendin e nëntë dhe do të luajë në plejofin e fazës nokaut.