Futboll

Nga lavdia evropiane te brengat e Kupës së Botës

psg

Kampioni evropian, Paris Saint-Germaini, shkoi në Kupën e Botës për Klube në SHBA me synim për t’u kurorëzuar mbret i lojës globale. Por humbja nga Botafogo të premten në mëngjes, ka treguar se Kupa e Botës për Klube do të jetë test i vërtetë për guximin e parisienëve dhe jo vetëm një “xhiro nderi”.

Kampioni i Ligue 1 të Francës u mposht 1:0 nga kampioni i Brazilit, Botafogo, në stadiumin “Rose Bowl” në Pasadena. Ky rezultat e lë plotësisht të hapur garën në Grupin B dhe ka ndryshuar disponimin në kampin e PSG-së pas fitores 4:0 ndaj Atletico Madridit në xhiron hapëse.

Desire Doue, që shënoi dy gola në fitoren 5:0 të PSG-së ndaj Interit në finale të Ligës së Kampionëve në fund të muajit të kaluar, ka thënë se dështimi për të realizuar shanset u ka kushtuar parisienëve.

“Nuk ishim efikasë”, ka thënë ylli i Parisit. “Kemi pasur shumë shanse. Kundërshtarët i kishin vetëm dy apo tri goditje dhe shënuan. Ata ishin shumë efikasë para portës sonë”.

Qasja kompakte dhe agresive e Botafogos ka shfaqur dobësi në lojën e PSG-së, pas një edicioni shumë të gjatë në futbollin evropian.

PSG-ja ka përshtatur orarin në Kaliforni për t’u mundësuar lojtarëve pasdite të lira për rikuperim pas seancave stërvitore. Trajneri Luis Enrique po ashtu e ndryshoi skuadrën e tij, duke startuar pa lojtarët e rregullt si Joao Neves, Nuno Mendes, Fabian Ruiz dhe Marquinhos. Ata u aktivizuan në pjesën e dytë, në kërkim të reagimit. 

Por edhe me ndryshimet e bëra, PSG-ja dështoi të depërtonte në mbrojtjen e konsoliduar të Botafogos. Momenti vendimtar ishte në minutën e 36-të kur Igor Jesus e mposhti Gianluigi Donnarumman.

Trajneri Enrique nuk kërkoi justifikime dhe vlerësoi kampionin e “Copa Libertadores” për qasjen që kishte.

“Botafogo ishte skuadra më e mirë defensive që kemi hasur gjatë gjithë edicionit, si në ligën tonë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Lojtarët e kësaj skuadre ishin të shkëlqyera”, ka thënë tekniku spanjoll.

“Ishin thjesht shumë efikasë, shumë kompaktë dhe gjithnjë ishin të gatshëm për të na goditur në tranzicion. Botafogo shënoi gol të shkëlqyer me Jesusin që i dha një injeksion të  vërtetë besimi. Ne nuk krijuam raste aq sa jemi mësuar. Jemi mësuar të punojmë shumë kundër ekipeve me mbrojtje të thellë, por është gjithmonë e vështirë të thyhen këto mbrojtje. Në këtë rast Botafogo e bëri shumë mirë dhe e përgëzoj për këtë”, ka shtuar Luis Enrique.

Pavarësisht se e kishte topin në shumicën e kohës, Parisit i ka munguar mprehtësia e zakonshme.

Doue tha se humbja duhet të shërbejë si thirrje për reagim.

“E rritëm nivelin tonë në duele, por ishte efikasiteti që na mungoi. Kjo ndeshje duhet të na shërbejë për kthim të fuqishëm. Asgjë nuk ka mbaruar, kemi një ndeshje tjetër dhe do ta fitojmë”, ka thënë Doue.

PSG-ja përballet me Seattle Sounders në ndeshjen e fundit në grup, të hënën. Por Enrique nuk ka pritur që gjërat të bëhen të lehta.

“Është një garë shumë e vështirë. Secila ndeshje do të jetë si kjo”, ka thënë trajneri i PSG-së.