Futbollisti brazilian, Neymar, do t’i nënshtrohet një operimi në gju pasi luajti i lënduar për ta ndihmuar ekipin e fëmijërisë, Santosin, që ta evitojë rënien nga Serie A e Brazilit.
33-vjeçari luajti 90 minuta në fitoren 3:0 të Santosit të dielën ndaj Cruzeiros. Me këtë fitore Santosi shmangu kthimin e menjëhershëm në kategorinë e dytë, pas promovimit edicionin e kaluar.
Neymari nuk ka dhënë më shumë detaje për rikuperimin, duke theksuar: “Më duhet të pushoj dhe më pas duhet ta bëj këtë intervenim në gju”.
Neymari u kthye në Brazil në janar, pasi bëri vetëm shtatë paraqitje përgjatë 18 muajve për Al Hilalin në Arabinë Saudite.
Ai luajti rol vendimtar në mbijetesën e Santosit, duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit të edicionit.
“Kam ardhur për këtë, që ta ndihmoj ekipin sa më shumë të jetë e mundur. Ishin javë të vështira për mua”, ka thënë Neymar.
Lëndimet e shpeshta e kanë ndalur goxha shumë yllin brazilian, që ka shënuar 79 gola 128 paraqitje për përfaqësuesen. Ai nuk ka luajtur për Brazilin që nga tetori i vitit 2023.
Me formën e shfaqur në javët e fundit, Neymari ka rritur gjasat që të ftohet për Botërorin e verës së ardhshme. Por fillimisht duhet ta sanojë lëndimin dhe të jetë në formën më të mirë fizike.
Ai pritet të luajë për Santosin edhe vitin e ardhshëm.