Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Neueri nuk ka plane për Kupën e Botës

Manuel Neuer

Thirrjet që të përfshihet në ekipin e Gjermanisë për Kupën e Botës nuk e kanë lëkundur portierin Manuel Neuer. Fituesi i Botërorit nga viti 2014, Neuer, ka mohuar se ka raporte jo të mira me përzgjedhësin e Gjermanisë, Julian Nagelsmann.

Neuer është kthyer në top-formë pas disa lëndimeve të vogla që e munduan. 40-vjeçari kishte paraqitje mahnitëse në fitoren 2:1 të Bayernit ndaj Realit në Madrid, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Neueri e mbajti portën të paprekur edhe të shtunën në fitoren 5:0 të Bayernit ndaj St. Paulit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zërat që të përfshihet në ekipin për Botëror nuk është se i kanë lënë shumë përshtypje portierit gjerman.

“Do të ketë Kupë të Botës, por unë nuk jam i përfshirë fare. Nuk jam pjesë e kësaj, kështu që do ta përcjell Botërorin i qetë nga jashtë”, ka thënë Neuer për ZDF.

Neueri vullnetarisht u pensionua nga ekipi nacional në fund të gushtit 2024, pas Evropianit në Gjermani. Ai nuk jep shenja se mund të kthehet. Fokusi i portierit është plotësisht te Bayerni.

“E përsëris herë pas here se është thjesht kënaqësi të jesh pjesë e ekipit”.

Ai dëshiron të shijojë momentin, duke ditur që janë shumë ndeshje të rëndësishme para. Ende nuk dihet nëse ai do të vazhdojë pas këtij edicioni.

“Jam plotësisht i relaksuar”, ka theksuar Neuer.

Ai kërkon ta “dëgjojë” trupin gjatë periudhës së ngarkuar. “Më pas do të marr një vendim, njëjtë si klubi”.

Neuer ka folur edhe për raportimet që ka marëdhënie të keqe me përzgjedhësin Nagelsmann.

“Nuk kemi marëdhënie të keqe, kemi marëdhënie të mirë. Nuk mendoj se ai është i interesuar për gjërat që fliten nga jashtë. As unë nuk jam i interesuar dhe mendoj se jemi të relaksuar për këtë”.

Bayerni me Neuerin në portë është në moment shumë të mirë. Në Bundesligë udhëheqë me 76 pikë dhe është fare pranë titullit. Të shtunën e theu rekordin e Bundesligës për gola në një edicion, rekord që qëndroi për shumë dekada. Skuadra bavareze tashmë i ka 105 gola të shënuar, ndërsa deri në fund janë edhe pesë xhiro.

Të mërkurën Bayerni e pret Real Madridin në ndeshjen e kthimit të çerekfinales të Championsit, me epërsi 2:1 nga ndeshja e parë. Ndërkohë është edhe në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.