Futboll

Në Kosovë lojtarët largohen edhe pa e fituar rastin

largime

“Nga FC Porto te Prishtina”.

Kështu e kishte prezantuar klubi i futbollit Prishtina më 17 korrik sulmuesin portugez, Luis Mota. Por Mota 21-vjeçar, i prezantuar me shumë bujë, u largua pa luajtur asnjë minutë te fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës, Prishtina.

Mota, me të kaluar te Porto B, u lirua nga Prishtina të hënën. Në njoftimin e klubit shkruan se bashkëpunimi me portugezin është shkëputur me marrëveshje të dyanshme.

Por Mota nuk është lojtari i vetëm që të hënën u la i lirë nga klubi Prishtina.

Klubi i kaltër njoftoi se ka liruar edhe Gentrit Salihun dhe Ardi Ajdinin. Të dielën prezantoi si prurje të re 20-vjeçarin, Arjol Bllaca, i cili së fundi ishte pjesë e Ramiz Sadikut, ku realizoi dhjetë gola.

Prishtina ndryshoi edhe trajnerin gjatë stinorit vjeshtor. Arsim Thaqin e larguar e zëvendësoi Afrim Tovërlani.

Prishtina edhe gjatë verës bëri shumë ndryshime. Largoi shumë lojtarë, ndërsa solli në radhët e saj shumë të tjerë.

“Në bashkëpunim me trajnerin jemi duke shikuar lojtarët që i duhen dhe ata që nuk i ka në plane, pasi tashmë ka nisur ta njohë ekipin. Lojtarët në të cilët nuk llogarit, sigurisht që duhet t’i lirojmë dhe mos t’i mbajmë peng. Do të ketë edhe prurje cilësore, krahas atyre lojtarëve me potencial për të ardhmen. Duhet të marrim lojtarë të dëshmuar”, ka thënë drejtori sportiv i klubit bardhekaltër, Driton Krasniqi, për KOHËN të hënën.

Prishtina e mbylli stinorin vjeshtor në vendin e dytë me 30 pikë. Është tri pikë prapa Ballkanit.

“Prishtina, pa diskutim, ndjek titullin gjithmonë. Duhet të shohim se a mund ta arrijmë, por titulli është objektivi kryesor. Nuk do të kursehemi për asgjë, ndonëse në janar është vështirë, pasi shumica e lojtarëve janë me kontrata. Ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirën dhe të sjellim lojtarë sa më cilësorë në pozitat ku kemi nevojë”, është shprehur Krasniqi.

Prishtina nuk është e vetmja që ka nisur me largime dhe prurje të reja për stinorin pranveror të Superligës.

Llapi largoi katër futbollistë. Bleron Fetahi, Kushtrim Shabani, Xheis Rushiti dhe Januz Miftari u liruan nga Llapi.

Llapi prezantoi portierin e larguar nga Gjilani, Aridon Bllaca.

Llapi ka bërë goxha vazhdimisht shumë ndryshime në skuadër. E mbylli në vendin e shtatë stinorin vjeshtor. Nga 18 ndeshje fitoi 21 pikë.

Edhe kampionia e Kosovës, Drita, ditë më parë njoftoi për largimin e Derrick Bonsus.

Largime dhe prurje të reja kanë paralajmëruar edhe klubet e tjera të Superligës.

Një prej largimeve më të mëdha gjatë janarit mund të jetë ai i Etnik Brrutit.

Ai pritet që karrierën ta vazhdojë në ndonjë klub jashtë Kosovës. Interesim për mesfushorin e Malishevës kanë shprehur Cluji rumun dhe klube nga Ukraina.