Mediumi italian “Football-Italia” ka shkruar të premten për kundërshtarët e mundshëm të Italisë në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026, nëse “azzurrët” mbesin në vendin e dytë në grupin kualifikues.
Italianët kanë përmendur kundërshtarë të ndryshëm, por vëmendje të veçantë në shkrimin e publikuar i kanë kushtuar edhe “Dardanëve” të udhëhequr nga përzgjedhësi Franco Foda.
“Kosova është një tjetër kundërshtare potenciale e plejofit pas fitores së madhe 1:0 ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit kualifikuese. Rezultati ka bërë që Kosova të mbetet në vendin e dytë të Grupit B, me tri pikë prapa Zvicrës, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje. Nëse Kosova e shmang disfatën në vizitën te Sllovenia në ndeshjen e ardhshme kualifikuese, do ta siguronte vendin e dytë në grup. Kosova ka dy fitore ndaj Suedisë, shtetit që synonte kualifikimin direkt për në Botëror. Suedia e ka Alexander Isakun dhe Viktor Gyokeresin në sulm, por ata nuk arritën ta thyejnë mbrojtjen e bashkuar të Kosovës. Plejofi kundër Italisë do t’i ofronte Kosovës një tjetër mundësi për ta mposhtur njërën prej vendeve më të mëdha të futbollit në botë dhe do të ishte marrëzi të nënvlerësoheshin shanset e saj”, ka shkruar “Football-Italia”.