Futboll

Ndeshje interesante për kreun e tabelës në Premier League

Arsenali

Disfata e Arsenalit nga Manchester United në xhiron e kaluar e ka bërë edhe më të fortë garën për titull kampioni në Angli. Në krye të tabelës së Premier Leagues vazhdon të jetë Arsenali me 50 pikë, i ndjekur nga Manchester City dhe Aston Villa me nga 46 pikë.

Arsenali kishte mundësinë të shkëputej më shumë në tabelë, por humbja e javës së kaluar u ka dhënë mundësi rivalëve të afrohen.

“Topçinjtë” të shtunën nga ora 16:00 do të jenë mysafirë të Leeds Unitedit. Ndeshja i takon xhiros së 24-të të elitës angleze. Leeds Unitedi ka 26 pikë dhe e zë vendin e 16-të.

Për Arsenalin fitorja do të ishte shumë e rëndësishme.

Arsenali të mërkurën e mbylli fazën e ligës në Champions me fitore 3:2 ndaj Kairat Almatyt. Skuadra e Mikel Artetas i fitoi të gjitha tetë ndeshjet në Champions.

Ndërkohë rivali kryesor i Arsenali për titull, Manchester City, në fundjavë do të ketë punë më të vështirë.

City të dielën nga ora 17:30 luan në udhëtim te Tottenham Hotspuri.

Tottenhami këtë edicion nuk qëndron mirë në tabelë. Ka 28 pikë dhe renditet në pozitën e 14-të. Rrezikon shumë që të mbetet jashtë garave evropiane në edicionin e ardhshëm.

Të dy skuadrat do të kenë mungesa shumë të mëdha. Te City do të mungojnë Joshko Gvardiol, Ruben Dias, John Stones, Mateo Kovaçiq, Savinho dhe Jeremy Doku.

Tottenhami do të jetë pa James Maddisonin, Rodrigo Bentancurin, Dejan Kulusevskin, Mohammed Kudusin, Ben Daviesin, Lucas Bergvallin, Richarlisonin dhe Pedro Porron.

Tottenhami është kundërshtari ndaj të cilit Pep Guardiola i Cityt ka pësuar më së shumti humbje në kampionat gjatë karrierës së tij si trajner - plotë tetë.

Por Tottenhami nuk ka fitore në pesë ndeshje të Premier Leagues.

Në pesë ndeshjet e fundit mes dy skuadrave, Tottenhami ka tri fitore, kurse City dy.

Një tjetër ndeshje interesante është ajo ndërmjet Liverpoolit dhe Newcastle Unitedit. Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 21:00.

Liverpooli ka 36 pikë dhe e zë vendin e gjashtë. Newcastle ka tri pikë më pak në pozitën e nëntë.