Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, e ka fyer asistentin e Antonio Contes te Napoli, Gabriele Orialin, gjatë minutave të fundit në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë.
Tensionet u rritën në fundin e ndeshjes së zhvilluar të enjten mbrëma në Riad, që përfundoi me fitoren e Napolit, 2:0, ndaj Milanit.
Lojtarët u përplasën mes vete, ndërsa trajnerët e lanë fushën pa ia dhënë dorën njëri-tjetrit.
Videoja e fyerjes së Allegrit u publikua nga “Sportmediaset”.
“Napoli e dënon sjelljen e trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri, i cili në gjysmëfinalen e Superkupës italiane, në praninë e disa personave të tjerë, vazhdimisht dhe seriozisht e ka fyer me gjuhë të rëndë Gabriele Orialin”, ka shkruar klubi ku paraqitet Amir Rrahmani.
Pas eliminimit nga Kupa e Italisë dhe Superkupa italiane, Milanit i mbetet të luajë vetëm në Serie A në edicionin aktual.