Futboll

Mustafi, ndihmëstrajner te Gjermania U21

mustafi

Shkodran Mustafi është bërë me punë të re. Fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë do të jetë ndihmëstrajner i përzgjedhësit Antonio Di Salvo, te grupmosha U21 e Gjermanisë. Në mediumet gjermane, ky hap i Mustafit është vlerësuar shumë i madh. 

Ai është zgjedhur për këtë rol pas largimit të ndihmëstrajnerit Herrman Gerland.

Mustafi më herët ka qenë asistent i selektorit Marc-Patrick Meister te Gjermania U17. Ai do t’i ndihmojë futbollistët e rinj për t’u zhvilluar e për të qenë të gatshëm për ekipin senior. 

Punën do ta nis nga 1 shtatori. 

“Shkodrani ka demonstruar në këtë vit me grupmoshën U17 se ka vlera dhe mund t’i zhvillojë lojtarët e rinj. Ai e di situatën e përditshme të futbollistëve dhe falë eksperiencës së tij profesionale në disa shtete dhe me ekipin përfaqësues, mund të sjellë gjëra të mira”, ka thënë drejtori menaxhues i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Andreas Rettig. 

33-vjeçari Mustafi gjatë karrierës së tij i ka luajtur 20 ndeshje me Gjermaninë, e fitoi Kupën e Botës 2014 në Brazil, si dhe Kupën e Konfederatave 2017 në Rusi. 

Në nivel klubesh, ish-mbrojtësi luajti për Arsenalin, ku i shënoi nëntë gola në 135 paraqitje. Karrierë ka bërë edhe te të rinjtë e Hamburgut, ndërsa kohë kaloi edhe tek Evertoni, Valencia, Shcalke e Levante.

Levante ishte klubi i tij i fundit para se të pensionohej në qershor të vitit të kaluar. 

“Jam shumë i gëzuar. E kam përcjellë këtë grupmoshë në Kampionatin Evropian shumë afër këtë verë dhe e kam ndier euforinë në shtetin tonë nga paraqitja e jashtëzakonshme”, ka thënë Mustafi për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Gjermanisë. 

“Dua që eksperiencën time dhe njohurinë, ta përcjellë te të rinjtë, brenda dhe jashtë fushës, si dhe të kontribuojë në stafin e Toni Di Salvos. Në të njëjtën kohë, ky rol më ofron mundësinë për ta bërë hapin e radhës si trajner”.

Roli i parë i Mustafit si asistent te Gjermania U21 do të jetë në kualifikimet e Kampionatit Evropian në Rostock kundër Letonisë, më 9 shtator.