Lideri i Mallorcas, Vedat Muriqi, u ka bërë thirrje për bashkim tifozëve që protestuan ashpër për rezultatet e zbehta. Tifozët e Mallorcas i kanë përjetuar rëndë rezultatet e skuadrës. Mallorca rrezikon rënien nga La Liga. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e bordit, ndërsa kanë kërkuar sqarime edhe nga lojtarët. Mallorca aktualisht i ka 18 pikë dhe është në vendin e 17-të. Por, “Pirati” i famshëm i Mallorcas, Muriqi, ka thënë se është momenti për të qëndruar të bashkuar.
“Nëse i prishim marrëdhëniet tani kur kanë mbetur edhe 19 ndeshje, jemi të mbaruar”, ka deklaruar Muriqi në një intervistë dhënë për radion spanjolle “Cope”.
Muriqi ka theksuar se e kupton brengën e tifozëve me paraqitjet aktuale dhe i kupton kritikat e tyre. Por, ai është i bindur se situata do të ndryshojë.
Muriqi ka thyer rekordin duke i shënuar 11 gola në pjesën e parë të edicionit 2025/2026, por këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta përmirësuar situatën e klubit në tabelë. Edhe Jagoba Arrasate ka folur për këtë çështje.
31-vjeçari nga Prizreni ka theksuar edhe një herë tjetër se tifozët janë ndihmesë e madhe për ta. Situatën e tanishme e ka krahasuar me kohën kur në klub, trajner ishte Javier Aguirre.
“Më kujtohet kur Granada na shkatërroi atë vit. Kisha dalë për darkë dhe disa tifozë më përshëndesnin duke më thënë se kanë mbetur edhe tri ndeshje dhe mund të mbesim në ligë. Isha me të vërtetë i befasuar. Dua që tifozët të jenë njësoj si në atë kohë dhe të na ndihmojnë të qëndrojmë. Nuk kam dyshim se ky ekip do të mbetet në elitë”, është shprehur sulmuesi kryesor i Mallorcas.
Për Muriqin, kjo situatë nuk është diçka e pazakontë, marrë parasysh ku ka bërë karrierë. Muriqi është pjesë e Mallorcas prej vitit 2022. Më herët ka luajtur edhe te klube si Lazio e Fenerbahçe, ku kërkesat nga tifozët janë shumë të larta.
“Kam luajtur në Turqi ku presioni është edhe më i madh. Ata nuk ta falin as gabimin më të vogël. Për shembull, Fenerbahçe është klub aq i madh dhe duhet të jesh si robot. Është e pamundur”.
Diskutimet me tifozët të dielën e kaluar ishin me tone të larta, ku i përfshirë ishte Johan Mojica.
Megjithatë, Muriqi dhe disa prej bashkëlojtarëve të tjerë ishin në gjendje që ta qetësonin situatën me tifozët e tjerë.
“Disa nga ne ishim duke biseduar me tifozët, njësoj si Alfonso Diaz. E thirrëm trajnerin për të biseduar dhe për ta qetësuar situatën. U kam thënë se asnjë në skuadër nuk dëshiron të humbë pas pesë minutash. Askush nuk dëshiron të jetë në atë situatë. Ata na thanë se nuk shohin pasion te ne. E kuptoj dhe pajtohem me ta sepse rezultatet nuk janë të mira. Tash varet nga ne për ta përmirësuar. Nëse nisim të ndahemi kur kanë mbetur edhe 19 ndeshje, jemi të mbaruar. Duhet të nisim të fitojmë dhe ta ndryshojmë situatën. Nëse ndryshohet situata, me shtatë pikë më shumë jemi në vendin e 10-të. Tifozët po ashtu duhet të na përkrahin ashtu siç kanë bërë në të gjitha vitet kur kam qenë këtu”, ka thënë Muriqi.
Muriqi ka deklaruar se te Mallorca ka mungesë vetëbesimi. Ai ka shtuar se duhet krijuar më shumë shanse për shënim. Muriqi i ka 11 gola të realizuar, por ndër të tjera ka shtuar se nuk po ka shumë mundësi para portës.
“Ne duhet të ndërtojmë më shumë gjëra, ndonjëherë na mungon pasimi final. Për këto gjëra duhet të brengosemi e të përmirësohemi. Flas me gjithë bashkëlojtarët dhe ata e dinë se unë do të jem aty për çdo harkim. Dua t’i bind ata që të dërgojnë më shumë topa në zonë”.
Sulmuesi shtatlartë i Kosovës dhe Mallorcas, nuk ka nevojë që ta ketë shiritin e kapitenit për të treguar se është lider i skuadrës. Ajo është diçka që shihet. Muriqi, rolin e liderit e ka mësuar që nga fëmijëria e vështirë. Ai ka luftuar shumë edhe për ta ndihmuar familjen kur ishte i ri. Ai transmeton uri për sukses dhe pasion për lojën.
“Gjithë jetën time pas vdekjes së babait, kam qenë lider në familje. Isha shtatëvjeçar kur babai vdiq dhe kam nisur të punoj si tetëvjeçar. Gjithmonë kam qenë lider. Në fushë, ne kemi kapitenë si Rai, Martin... Nuk më duhet shiriti i kapitenit. Unë dua të ndihmoj në fushë. Synimi im është fitorja dhe bashkëlojtarët më respektojnë”, ka përfunduar Muriqi.
Për Muriqin të enjten ka pasur raportime se në garë për t’i siguruar shërbimet e tij është Fenerbahçe, ish-skuadra e tij. Por ai është te Mallorca dhe në ndjekje të rekordit të legjendës Samuel Eto’o. Muriqi me Mallorcan i ka 45 gola në La Liga, ndërsa Eto’o prin në listën e golashënuesit më të mirë të Mallorcas në elitën spanjolle me 54 gola. Me ecurinë aktuale, Muriqi pritet që shpejt ta kalojë ish-sulmuesin kamerunas.