Vedat Muriqi me Mallorcan do të jenë mysafirë të Barcelonës në kuadër të xhiros së 23-të të La Ligas.
Ndeshja ndërmjet Barçës dhe Mallorcas luhet të shtunën nga ora 16:15.
Barcelona është lidere me 55 pikë. Një pikë më pak ka Real Madridi.
Barça është në seri prej pesë fitoreve në të gjitha garat. Gjiganti katalunjas të martën kaloi në gjysmëfinale të Kupës së Spanjës duke e eliminuar skuadrën e kategorisë së dytë, Albacete.
Barça këtë edicion në elitën spanjolle ka 18 fitore, një barazim dhe tri humbje.
Ndërkohë Mallorca e Muriqit është duke luftuar për mbetje në elitë. Ka 24 pikë në vendin e 14-të. Në pesë ndeshjet e fundit ka dy fitore dhe tri humbje.
Pavarësisht rezultateve negative të Mallorcas, Muriqi, është duke kaluar formë shumë të mirë.
Sulmuesi nga Prizreni është golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga me 15 gola. Listës i prin Kylian Mbappe me 22 gola. Ferran Torres i Barçës e zë vendin e tretë me 12 gola.
31-vjeçari Muriqi ka dy gola dhe një asistim në gjashtë ballafaqime ndaj Barcelonës.
Ndërkohë, Reali të dielën nga ora 21:00 luan në udhëtim te Valencia.
Valencia e zë vendin e 16-të me 23 pikë. “Los Blancos” kanë gjashtë fitore radhazi në kampionat.
Një tjetër ndeshje interesante është ajo ndërmjet Atletico Madridit dhe Real Betisit, që zhvillohet të dielën nga ora 18:30.
Atletico është në vendin e tretë me 45 pikë. Dhjetë pikë më pak ka Betisi që renditet në pozitën e pestë.