Futboll

Mungesa e Ronaldos në varrimin e Jotas shkakton reagime të ashpra në Portugali

Ronaldo & Jota

Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë, Cristiano Ronaldo, nuk mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-bashkëlojtarit të tij Diogo Jota dhe vëllait të tij Andre Silva, të cilët u varrosën sot (e shtunë) në Gondomar, Portugali.

Ronaldo, lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Portugalisë, pritej të udhëtonte për në Gondomar për të nderuar një bashkëlojtar me të cilin kishte ndarë fushën e gjelbër për vite me radhë. Por, ai mungoi si në homazhet e një dite më parë, ashtu edhe në ceremoninë e varrimit, ndonëse aty ishin të pranishëm shumë futbollistë të Kombëtares portugeze dhe të klubeve ku kishte luajtur Jota.

Sipas mediave lokale në Spanjë, Ronaldo ndodhet aktualisht me pushime në Palma de Mallorca, ku është parë në dy destinacione luksoze.

Mungesa e tij ka shkaktuar reagime të ashpra nga gazetarë dhe analistë sportivë në Portugali. Antonio Ribeiro, gjatë meshës mortore, u shpreh i zhgënjyer me mungesën e kapitenit.

“Është kapiteni i Kombëtares. Të gjithë e prisnim të ishte aty. Ndoshta ka ndonjë arsye që nuk e dimë, por nëse nuk erdhi, duhet të japë një shpjegim. Ka përgjegjësi, është kapiten”, ka thënë ai.

Më i ashpër në reagim ishte komentatori sportiv Luis Cristovao, i cili e quajti të pashpjegueshme mungesën e Ronaldos.

“Përderisa është e pashpjegueshme, çdo arsyetim nuk do të jetë i mjaftueshëm për atë që ka munguar”, u shpreh ai.

Ndërsa analisti Pedro Fatela paralajmëroi se kjo çështje do të jetë temë diskutimi për ditë të tëra.

“Kjo mungesë do të diskutohet për ditë të tëra. Do ta kuptojmë pse nuk mundi të udhëtonte për në Gondomar, por ai është kapiten. Të gjithë e prisnim të paraqitej”, përfundoi ai.

Zbulohet arsyeja e mungesës së Ronaldos në varrimin e Jotas

6 o. më parë / 5 kor 2025 16:23
Cristiano Ronaldo

Cristiano Ronaldo nuk ishte i pranishëm në varrimin e Diogo Jotas dhe vëllait të tij Andre Silva, që u mbajt të shtunën në mëngjes në kishën “Igreja Matriz de Gondomar”, pranë Portos në Portugali. Të dy vëllezërit humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Spanjë të enjten, duke shkaktuar pikëllim të madh në botën e futbollit.

Ndërsa dhjetëra bashkëlojtarë të Jotas nga Liverpooli, Kombëtares së Portugalisë dhe ish-bashkëlojtarë nga Wolvesi udhëtuan drejt Gondomarit për t’i dhënë lamtumirën e fundit, kapiteni i Portugalisë zgjodhi të mos marrë pjesë në ceremoni.

Sipas burimeve të “Mirror”, arsyeja kryesore për mungesën e Ronaldos ishte shqetësimi se prania e tij në një qytet të vogël si Gondomari mund të tërhiqte gjithë vëmendjen dhe të zbehte nderimin e merituar për Jotan dhe vëllain e tij.

Ronaldo, i cili ndodhet me familjen dhe ka qëndruar larg syrit të publikut këto ditë, postoi një mesazh prekës në rrjete sociale pas lajmit të aksidentit tragjik, duke shprehur dhimbjen për humbjen e bashkëlojtarit të tij.