Futboll

Monterrey e ndal në barazim River Platen

Monterrey

Skuadra e madhe argjentinase, River Plate, mori vetëm një pikë nga ndeshja me Monterreyn e Meksikës. Ndeshja që u zhvillua në natën mes të shtunës e së dielës i mblodhi plot 57 mijë shikues në Pasadena, por nuk ofroi gola. Përfundoi 0:0.

Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e dytë të Grupit E të Kupës së Botës për Klube. River Plate është në vendin e parë me katër pikë, sa i ka edhe Interi. Monterrey, që në xhiron e parë barazoi 1:1 me Interin, është i treti me dy pikë. Urawa Red Diamonds nga Japonia është pa pikë dhe e eliminuar pas dy xhirove.

Monterrey në xhiron e fundit përballet pikërisht me Urawan, ndërsa në Seattle, më 25 qershor, është derbi i madh mes Interit dhe River Plates.

Ndonëse nuk ofroi gola, ndeshja ishte shumë interesante. River Plate i kishte plot 18 goditje në drejtim të portës. Por, portieri argjentinas i Monterreyt, Esteban Andrada, nuk u mposht me asnjë nga gjashtë gjuajtjet që shkuan në kornizë të portës.

Dy prej tri gjuajtjeve të Monterreyt ishin në kornizë të portës, por Franco Armani nuk u mposht.

Të dy skuadrat kishin përkrahje të madhe nga shikuesit, ndërsa u ndanë tetë kartonë të verdhë.