Mario Mitaj e fitoi titullin e kampionit në Arabinë Saudite të enjten mbrëma me Al Ittihadin, pas fitores 3:1 në udhëtim tek Al Raedi. Al Ittihadi në vendin e parë ka 77 pikë, ndërsa e festoi titullin tri xhiro para fundit.
Për mbrojtësin e krahut të majtë që përfaqëson Shqipërinë, ishte titulli i parë i fituar në karrierë.
Mitaj 21-vjeçar ka dhënë kontribut të madh për skuadrën me shumë yje, përfshirë Karim Benzeman, N’Golo Kanten e Fabinhon.
Ai e kompletoi vetëm ndeshjen e dytë rresht, pas një mungese të gjatë që e pati prej gjashtë ndeshjeve.
Në total, Mitaj me Al Ittihadin ka luajtur në 19 ndeshje. Në këto ballafaqime në ligë dhe në Kupë, ka kontribuuar me një gol e dy asistime.
Por një statistikë interesante është se kjo skuadër nuk ka pësuar asnjëherë humbje me të në formacionin titullar.
Al Ittihadi ka fituar 17 ndeshje me Mitajn në krahun e majtë të mbrojtjes, derisa ka barazuar në dy ndeshje tjera.
Mitaj është zhvilluar tek AEK-u i Athinës si futbollist. Karrierë ka bërë edhe tek Lokomotiva e Moskës, ndërsa tek Al Ittihadi e kompletoi transferimin për 4 milionë euro më 31 janar të këtij viti. Ishte i huazuar fillimisht prej shtatorit të vitit të kaluar.
Mitaj i rëndësishëm është edhe për Sylvinhon te Shqipëria.
Me “kuqezinjtë” ka zhvilluar 22 ndeshje.