Milani ka njoftuar të mërkurën për transferimin e mesfushorit Ardon Jashari.
Jashari është transferuar nga Club Brugge dhe ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2030.
Mesfushori që përfaqëson Zvicrën u lind në Cham të Zvicrës, ndërsa e nisi karrierën te Luzerni.
Ai debutoi në ekipin e seniorëve të kësaj skuadre në korrik të vitit 2020.

Pas 102 paraqitjeve dhe nëntë golave të shënuar me Luzernin, Jashari 23-vjeçar u transferua te Club Brugge në verën e vitit të kaluar.
Me skuadrën e njohur belge i luajti 52 ndeshje në edicionin e kaluar. I realizoi katër gola, ndërsa ishte fitues i Kupës së Belgjikës me Club Bruggen.
Jashari përveç disa çmimeve të fituara individuale, u shpall edhe lojtari më i mirë i edicionit të kaluar të kampionatit elitar të Belgjikës. U zgjodh edhe lojtari më i mirë i ri, në edicionin e tij të parë në Belgjikë.
Ai i ka katër paraqitje për Zvicrën, ndërsa debutoi në shtator të vitit 2022.
Jashari do ta mbajë veshur fanellën me numrin 30 te Milani.
Sipas mediumeve italiane, transferimi i Jasharit është kompletuar për 39 milionë euro, dhe është shitja e katërt më e shtrenjtë e bërë nga Club Brugge.
Jashari bëhet transferimi i pestë i Milanit në këtë afat kalimtar veror, pas Luka Modriqit, Samuele Riccit, Pervis Estupinanit dhe Pietro Terracianos.
Video: