Serie A

Milani synon ta shtyjë festën e Interit

Inter

Kampioni i Italisë mund të përcaktohet në derbin e zjarrtë, Milan – Inter.

Milan – Inter luhet të hënën nga ora 20:45 dhe e mbyll javën e 33-të të Serie A.

Milani synon që ta shtyjë festën e “nerazzurrëve”, pasi në të kundërtën festa do të bëhej para tifozëve “rossonerë”.

Në ndeshjen e parë të edicionit, që u zhvillua në muajin shtator, Interi e shkatërroi Milanin duke e fituar derbin me rezultatin 5:1.

Tani diferenca e pikëve është e madhe, 14.

Interi prinë në tabelë me 83 pikë, ndërsa Milani është i dyti me 69 pikë.

Vitin e kaluar, skuadrat rivale të qytetit u takuan pesë herë, përfshirë edhe ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Në të pesë ndeshjet, Interi ishte fitues dhe tani Milani synon revanshin.

Derbi po ashtu ka rëndësi të madhe për trajnerin e Milanit, Stefano Pioli.

Pioli, në rast se fiton, nuk është se e siguron vendin e punës. Por disfata, në këto rrethana, do të bënte që ai të largohej nga posti i trajnerit.

Interit i është kthyer në skuadër nga suspendimi sulmuesi Lautaro Martinez, që prinë në listën e golashënuesve në Serie A me 23 gola.

Megjithatë, argjentinasi ka dështuar të shënojë gol në katër ndeshjet e fundit në ligë dhe synon që ta ndërpresë këtë ecuri negative.

Skuadrat që luajnë në “Derby della Madonnina” kanë fituar nga 19 tituj.

Interit për ta fituar titullin do t’i mjaftojë vetëm edhe një pikë.

Në rast se Interi e fiton “Scudetton”, do ta shtojë edhe një yll në fanellë.

Ylli shtohet në fanellë pas çdo 10 titujve të fituar.

Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, luan në udhëtim tek Empoli të shtunën nga ora 18:00.

Napoli është i teti me 49 pikë dhe është në kërkim të një vendi që dërgon në Ligën e Kampionëve.