Lionel Messi ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2028 me Inter Miamin dhe pritet të jetë kontrata e fundit e karrierës së tij profesionale.
Kushtet financiare të marrëveshjes nuk u zbuluan në njoftimin e Miamit të enjten, por Messi ka qenë lojtari më i paguar i MLS-së me një diferencë të madhe me lojtarët e tjerë qëkur iu bashkua Inter Miamit në verën e vitit 2023.
Vazhdimi i kontratës do ta mbajë Messin aktiv në futboll deri në moshën 41-vjeçare.
“Më bën vërtet të lumtur që mbetem këtu dhe të vazhdoj me këtë projekt që, përveçse një ëndërr, është bërë një realitet i bukur - të luaj në këtë stadium, në ‘Miami Freedom Park’”, tha Messi për faqen e klubit. “Qëkur kam mbërritur në Miami, kam qenë shumë i lumtur, kështu që jam vërtet i lumtur që vazhdoj këtu”.
Bashkëpronari i Inter Miami, David Beckham, ka theksuar se Messi është i etur për suksese tjera.
“Vizioni ynë ishte të sillnim lojtarët më të mirë në Inter Miami dhe në këtë qytet. Kjo është pikërisht ajo që kemi bërë. Ne sollëm lojtarin më të mirë që ka luajtur ndonjëherë në qytetin tonë. Kjo tregon angazhimin tonë ndaj Miamit, por tregon gjithashtu angazhimin e Leos ndaj qytetit, ndaj klubit dhe ndaj lojës. Ai është ende po aq i përkushtuar sa ka qenë gjithmonë dhe ai ende dëshiron të fitojë”, ka thënë Beckam.
Bisedimet për kontratën e re zgjatën për muaj të tërë. Kontrata e re ka përmbushur një qëllim kyç të pronarit të Inter Miami, Jorge Mas, i cili ka thënë se dëshiron që Messi të jetë në ekip për të inauguruar stadiumin e ri të ekipit, “Miami Freedom Park”, i cili pritet të hapet për sezonin 2026. Postimi i Inter Miami në Instagram, ku bëhet i ditur vazhdimi i kontratës tregon Messin duke pozuar brenda stadiumit në ndërtim e sipër.
Që nga themelimi, Inter Miami ka luajtur në stadiumin “Chase” me kapacitet 21,500 vendesh.
Koha e Messit në MLS ka qenë e frytshme si për lojtarin, ashtu edhe për ekipin dhe ligën. Inter Miami është bërë destinacioni i preferuar për ish-lojtarët e skuadrës së Messit që kërkojnë një tjetër shans me superyllin argjentinas. Këtu përfshihen ish-lojtarët e skuadrës te Barcelona, Jordi Alba, Luis Suarez dhe Sergio Busquets, së bashku me shokun e skuadrës tek Argjentina, Rodrigo De Paul.
Javier Mascherano, ish-lojtari i skuadrës së Messit me Argjentinën dhe Barcelonën, është në vitin e tij të parë si trajner i Miamit.
Në fushë, Messi ka shkëlqyer në MLS. Fituesi i Kupës së Botës ka shënuar 71 gola dhe ka asistuar 37 herë në 82 paraqitje, duke e udhëhequr Miamin drejt trofeut të Kupës së Ligës 2023 dhe “Mburojën e Tifozëve” 2024.
Miami e hap udhëtimin e tij në plejofin e Kupës MLS 2025 të premten Nashville SC. Kupa MLS mbetet shpresa e fundit e klubit për një trofe në vitin 2025 për Miamin.
Messi u shpall “MVP” i “MLS-së” në vitin 2024, pavarësisht se mungoi pothuajse gjysmën e sezonit për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, dhe është pothuajse e sigurt se do ta fitojë përsëri çmimin në vitin 2025.
Nëse kjo ndodh, Messi do të bëhet lojtari i parë që e fiton çmimin dy herë që nga Predrag Radosavljeviq që e fitoi këtë çmim në vitet 1997 dhe 2003 për Kansas City Wizards, që tashmë njihet si Sporting Kansas City.
Messi pritet të paraqitet për Argjentinën në Kupën e Botës 2026, që mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, pasi i ka ndihmuar kampionët e vitit 2022 të kualifikohen për turneun e vitit të ardhshëm.