Futboll

Mesazhi emocional i Januzajt pas lëndimit të radhës

Adnan Januzaj

Adnan Januzaj ishte forcë shtesë e trajnerit Matias Almeyda për ndeshjen ndërmjet Sevillas dhe Espanyolit. Por, mesfushori ofensiv pësoi një tjetër lëndim të hënën mbrëma. Në minutën e 25-të, Januzajt iu ofrua asistencë nga ekipi mjekësor i Sevillas. Ai u kthye në fushë, por nuk qëndroi as dhjetë minuta pasi ndjeu dhimbje në muskulin e këmbës së majtë. Në minutën e 33-të Januzaj u largua përfundimisht nga fusha.

Qëndroi në stol i mërzitur dhe me lot në sy. Është lëndimi i tretë që e ka pësuar këtë edicion, në të cilin ka luajtur tetë ndeshje, tre si titullar.

Ai doli me një mesazh të martën pasdite duke falënderuar për mbështetjen që iu ofrua.

“Faleminderit të gjithëve për mesazhet dhe mbështetjen tuaj. Kjo nuk ishte ajo që prisja në këtë kohë, duke pasur parasysh të gjitha përpjekjet dhe punën e madhe që bëj çdo ditë. Por duhet ta pranoj dhe të vazhdoj të punoj e të luftoj. Jam i sigurt se do të kthehem më i fortë se kurrë. Nuk është periudhë e lehtë për mua. Kur e do atë që bën, detyrohesh të ndalesh është e vështirë të pranohet”, ka shkruar Januzaj në rrjetet sociale.

Ai ka shkruar tutje se synimi është të kthehet shpejt dhe më i fortë.

“Kjo sfidë është vetëm një hap tjetër në udhëtimin tim. Tani është koha ta përballoj me vendosmëri, durim dhe dëshirën për t’u kthyer sa më shpejt që të jetë e mundur. Faleminderit që ishit aty në kohë të mira dhe gjithashtu në ato të vështira”.

30-vjeçari edhe në të kaluarën është përballur me lëndime të shumta.

Ish-mesfushori i Belgjikës ka kontratë me Sevillan deri në qershor të vitit 2026.

Më herët karrierë ka bërë te Manchester Unitedi, Dortmundi, Sociedadi, Bashakshehiri dhe Las Palmasi.