Futboll

Me 40 vjet e 119 ditë, Ronaldo bën diferencën

Cristiano Ronaldo

Foto: Associated Press

Nuk ka shumë gjëra të cilat Cristiano Ronaldo nuk i ka arritur në karrierën e tij me plot rekorde. Të mërkurën mbrëma 40-vjeçari e regjistroi një tjetër sukses. 

Sulmuesi portugez e realizoi golin e fitores së Portugalisë 2:1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Kjo bëri që Ronaldo të fitojë për herë të parë ndaj “Die Mannschaftit”. 

Ronaldo i kishte humbur të gjitha pesë përballjet e kaluara me Gjermaninë dhe Portugalia nuk kishte fituar ndaj kësaj kundërshtareje në 25 vjet. 

Fitorja përveçqë e mbylli rekordin e padëshiruar, ia siguroi Portugalisë finalen e Ligës së Kombeve më 8 qershor. 

Në paraqitjen e 220 për përfaqësuesen e tij, Ronaldo sërish e bëri diferencën. 
Portugalia ishte në disavantazh pas golit të realizuar nga Florian Wirtzi, që shënoi me kokë për epërsinë 1:0 të Gjermanisë në minutën e 48-të. 

Francisco Conceiçao i barazoi shifrat me gjuajtje të përkryer, pak pasi kishte kaluar një orë lojë. 
Skena më pas ishte për pesë herë fituesin e “Topit të Artë” që shënoi për 2:1 vetëm pesë minuta më vonë. Ai e shtyu topin në rrjetë pas pasimit të mirë që mori nga Nuno Mendesi. 

Ishte goli i 137 për Ronaldon me Portugalinë dhe i 937-ti në karrierën e tij. Kështu ai i vazhdon rekordet, të cilat i ka vendosur vetë. 

Hera e fundit që Portugalia fitoi ndaj Gjermanisë ishte në “Euro 2000”, kur Sergio Conceiçao kishte shënuar “hat-trick” në fitoren 3:0 në fazën grupore. 

Ishte rastësi, pasi djali i tij Francisco, shënoi në fitoren e së mërkurës mbrëma, duke ndihmuar portugezët të fitonin pas një kohe shumë të gjatë. 

“Ne duhet ta shijojmë këtë fitore. Kemi fituar për herë të parë pas një kohe të gjatë ndaj Gjermanisë”, ka thënë trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, pas ndeshjes. 

“Taktikisht ishim të shkëlqyer dhe na ndihmoi përkushtimi. Ishte fitore ekipore. Tani duhet të rikuperohemi dhe t’i analizojmë momentet. Duam tjetër paraqitje me personalitet për këtë fanellë”. 

Pavarësisht moshës dhe faktit se ai ka luajtur në Arabinë Saudite në tri edicionet e fundit, Ronaldo ka treguar edhe një herë tjetër se ai e ka ende aftësinë për t’u paraqitur në nivele të larta. 

Por debati është se ku do të luajë ai në sezonin tjetër. Ylli portugez ngjalli diskutime për të ardhmen e tij pas postimit që e bëri në rrjetet sociale në muajin e kaluar. 

“Kjo kaptinë është mbyllur. Tregimi? Ende është duke u shkruar. Faleminderit të gjithëve!”, kishte shkruar Ronaldo, ku kishte postuar veten me fanellën e skuadrës së Al Nassr. 

Kjo bëri që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së fundmi të jepte sinjale se Ronaldo mund të luajë në Kupën e Botës për Klube me format të ri, duke sugjeruar largimin nga Al Nassr që dështoi të kualifikohej. 

Kontrata e tij do të skadojë në fund të këtij sezoni dhe ai mund të largohet si futbollist i lirë e t’i bashkohet cilësdo skuadër që ai dëshiron.