Kur Sydney McLaughlin-Levrone hyri me shpejtësi në kthesën e fundit në finalen e garës 400 metra vrapim në Kampionatin Botëror, ajo hodhi një vështrim nga e djathta dhe pa diçka që nuk kishte qenë aty prej kohësh.
Një vrapuese tjetër.
E kishte garën në duart e saj.
Mënyra e vetme për ta shpjeguar se si McLaughlin-Levrone u bë atletja e parë në afro 40 vjet që e përshkon këtë distancë për më pak se 48 sekonda, ishte se atletja që e mposhti të enjten në natën me shi në Tokio, Marileidy Paulino, po ashtu vrapoi në më pak se 48 sekonda.
“Nuk vrapon në atë mënyrë nëse nuk ka ndonjë atlete tjetër që të shtyn deri në këtë pikë”, ka thënë McLaughlin-Levrone.
Renditja përfundimtare në këtë garë ishte: McLaughlin-Levrone 47.78 sekonda. Paulino 47.98.
Ato janë atletet me kohën e dytë dhe të tretë më të shpejtë në histori, pas Marita Koch të Gjermanisë Lindore me kohën 47.60, të vendosur më 6 tetor 1985.
McLaughlin-Levrone, e cila u distancua nga garat me pengesa për të parë se çfarë mund të bëjë në garën 400 metra vrapim, ka thënë se ka qenë e fokusuar në çdo hap për ta fituar titullin në ngjarje të re, ndërsa shkoi pas rekordit për të cilin u mendua si i paarritshëm.
Dhe Paulino, kampionia Olimpike dhe Botërore në fuqi, nuk dorëzohej.
Ishte garë e barabartë, ndonëse McLaughlin-Levrone nuk kishte marrë pjesë në këtë disiplinë në tre vjetët e fundit. McLaughlin-Levrone kishte krijuar distancën 30 metra para përfundimit. Gara u vendos vetëm në fund.
“Në fund të fundit, nuk garoja për ta mbrojtur titullin, por për ta fituar”, ka thënë McLaughlin-Levrone. “Bobby përdorte terme të boksit vazhdimisht. Ai tha se ‘duhet të dalësh aty dhe ta fitosh brezin. Nuk është i yti. Duhet ta fitosh”.
Bobby është Bobby Kersee, trajneri magjistar i cili e ndihmoi McLaughlin-Levronen të transformohej në njërën prej atleteve më të mira në garat me pengesa dhe ndoshta një gjë të tillë do ta bëjë edhe në 400 metra.
“E kam ndier se dikush duhet të vrapojë 47 sekonda për ta fituar këtë”, i ka thënë Kersee agjencisë së lajmeve Associated Press. “Ajo ka stërvitur për këtë. E pranoi sfidën dhe rrezikoi. Është atlete e shkëlqyer dhe nuk mund të kem ankesa”.
Derisa koha po shfaqej në tabelë, turma brohoriti fort. Madhështia e momentit nuk i shpëtoi askujt.
Askush nuk i ishte afruar rekordit të Kochit madje as për gjysmë sekonde deri para kësaj gare. Vendi i tretë u zu nga Salwa Eid Nasar, me kohën 48.19, kohë e cila do t’i fitonte dy Kampionatet Botërore të fundit.
“Është gjë e shkëlqyer se si është shndërruar gara 400 metra vrapim në vitet e fundit”, ka thënë britanikja Amber Anning, që përfundoi e pesta me kohën 49.36.
“Më pëlqen, më bën që ta bëj hapin e radhës në këtë sport”.
Paulino ndërkohë ishte më shumë e përqendruar në vendin e saj unik në histori.
“Jam e kënaqur pasi e kisha mundësinë ta përfundoja garën nën 48 sekonda”, tha ajo. “Ndihem si fituese. I kam kaluar pesë vjet duke stërvitur çdo ditë për këtë”.
McLaughlin-Levrone në 400 metra vrapim nisi në vitin 2023, por lëndimet e penguan të garonte në Botëror atë vit. Ajo u fokusua në garën me pengesa vitin e kaluar dhe e fitoi medaljen e dytë të artë në Olimpiadë, ndërsa pa pengesa triumfoi këtë vit. Kur vrapoi me kohën 48.29 sekonda në gjysmëfinale, ajo e theu rekordin 19-vjeçar amerikan dhe tha se “ka lënë diçka pa arritur”.
Dhe më pas, me konkurrencën e Paulinos, ajo ia doli.
“Sot ishte garë e mirë dhe i jam mirënjohëse vetes që e kam futur veten në një pozitë që i sjell emocione këtij sporti”, ka thënë McLaughlin-Levrone.
Ende nuk dihet nëse ajo do të vazhdojë të vrapojë për ta arritur kohën e Kochit, apo të kthehet në garat me pengesa, ku numri “50” është pak a shumë si “48” në garën të cilën e fitoi të enjten.
Askush nuk kishte menduar për 50-sekondëshin në garat me pengesa, derisa McLaughlin-Levrone nisi të thyente rekorde vazhdimisht. Katër vjet më parë në Olimpiadë, ajo e pati kohën 51.46, në stadiumin e zbrazët në Tokio.
Ajo e theu atë rekord edhe tri herë të tjera dhe në Paris vitin e kaluar koha ishte 50.37 sekonda.
Megjithatë lëvizja e radhës për McLaughlin-Levrone është që të jetë edhe më e shpejtë.
“Tani mendoj se 47-sekondëshi i tregon asaj se mund ta thyejë 50-sekondëshin”, ka thënë Kersee. Duke e njohur atë, ajo do të kthehet në garat me pengesa dhe ta ekzekutojë planin për të vrapuar 49.99 apo më shpejt”.