Futboll

Mbrojtësi që vlerësohet në Zvicër është kontaktuar nga Kosova

Lindrit Kamberi

Lindrit Kamberi ka kohë që është pjesë e Superligës së Zvicrës. Si futbollist është zhvilluar te Zurichu, ndërsa për pak kohë ka luajtur edhe te Winterthuri. Ka plot 139 ndeshje me Zurichun e 11 gola të shënuar. 28 ndeshje i ka luajtur për Winterthurin, ndërsa pati një gol e një asistim. Për shkak të përvojës së madhe në kampionatin elitar helvetik, 25-vjeçari që e ka një titull kampioni në vitin 2022 me Zurichun, vlerësohet kandidat për mbrojtjen e Kosovës në të ardhmen. 

Në një intervistë dhënë për mediumin e njohur zviceran “Blick”, Kamberi ka thënë se është kontaktuar nga Kosova. Në nivelin e seniorëve ende nuk është paraqitur për asnjë përfaqësuese, por ka luajtur për U19 dhe U20 të Zvicrës. 

“Kam mundur të luajë për Zvicrën, Shqipërinë apo Kosovën, kjo është e vërtetë. Kam pasur kontakte me Kosovën, por asgjë më shumë. Me Zvicrën nuk kam pasur asnjë kontakt që prej grupmoshës U20”, ka deklaruar Kamberi. 

Ai është pyetur nga mediumi helvetik se për cilën prej këtyre tri shteteve do të dëshironte të luante në të ardhmen. Por, nuk ka dhënë përgjigje direkte. 

“Jam plotësisht i fokusuar me paraqitjet e mia te Zurichu. Pjesa tjetër do të vijë në kohën e duhur, nëse është e nevojshme”, ka deklaruar Kamberi. 

Kamberi mund të luajë në disa pozita në mbrojtje. Për këtë vlerësohet edhe nga skuadra e Zurichut. 
Ai ka thënë se presioni te kjo skuadër është i madh, pasi skuadra synon vetëm trofe. 

Zurichu është 13 herë fitues i titullit, ndërsa ka 10 trofe të Kupës së Zvicrës e një Kupë të Ligës. 
Ka paraqitje të suksesshme edhe në Evropë. Ishte gjysmëfinalist i Kupës Evropiane në edicionet 1963-64 dhe 1976-77. 

“Në Zurich, të gjithë duhet ta kenë vetëm një synim: titullin!”, ka deklaruar ai. 

Kamberi u lind në Zurich, ndërsa tani është njëri prej liderëve te kjo skuadër. 

“Unë e shoh veten si njëri prej liderëve të skuadrës. Dua që t’u ndihmoj edhe lojtarëve të rinj. U mësoj atyre gjërat që i kam përjetuar vet. Kemi shumë lojtarë të rinj që duhet t’i përkrahim. Ne që jemi më me përvojë duhet t’ua mësojmë atyre disiplinën dhe mentalitetin që kemi. Gjëja më e rëndësishme është që lojtarët e rinj t’i shohin më të vjetrit duke e dhënë më të mirën”. 

Kamberi ka gjashtë paraqitje edhe në Ligën e Evropës, ndërsa ka luajtur edhe në kategorinë e dytë me këtë skuadër. Në “Challenge League” ka luajtur në 59 ndeshje, duke kontribuuar me një gol e një asistim. 

Me Zvicrën U20 ka gjashtë paraqitje, kurse me grupmoshën U19 e ka vetëm një lojë të zhvilluar.