Mbrojtësi i Kosovës, Mirlind Kryeziu, ka zbuluar shumë gjëra rreth largimit nga klubi ku u rrit, Zurichu.
Ai ka thënë se ndihet i lehtësuar pas largimit nga Zurichu.
Në një intervistë për “Bluewin”, qendërmbrojtësi shtatlartë, ka theksuar se nuk ka përjetuar gjashtë muajt më të rëndë në karrierë.
Kryeziu për herë të parë në karrierë është pa klub.
“Është një gjë e re për mua. Por duke marrë parasysh gjashtë muajt e fundit në klub, është lehtësim për mua”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu 28-vjeçar kishte refuzuar vazhdimin e kontratës.
“Nuk më lejohej të luaja më, vetëm të stërvitesha. Është një dukuri e zakonshme në futboll. Nuk ke rast tjetër për të luajtur nëse nuk dëshiron të nënshkruash kontratën që të është paraqitur. Por për një futbollist, moslejimi për të luajtur është skenari më i keq. Doja ta ndihmoja ekipin e Zurichut, por nuk më lejohej. Gjashtë muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë”, ka theksuar Kryeziu.
Mbrojtësi shtatlartë iu bashkua Zurichut në moshën shtatëvjeçare. Ai luajti për të gjitha grupmoshat e Zurichut.
Në vitin 2017 debutoi në ekipin e parë, kurse një vit më vonë, 28-vjeçari fitoi Kupën e Zvicrës. Me Zurichun në vitin 2022 u bë kampion.
Gjatë 21 vjetëve, Kryeziu ishte huazuar te Bieli dhe Kriensi. Për ekipin e parë të Zurichut ka shënuar dhjetë gola dhe ka asistuar pesë herë në 163 ndeshje.
“Siç thashë, ndjesia e të qenit futbollist dhe të mos lejohesh të luash është vërtet e çuditshme.
Zgjohesh çdo mëngjes dhe e di se do të shkosh në stërvitje, por nuk luan asnjë rol. Le të themi se duhet forcë e madhe mendore”.
Ai ka thënë se nuk qëndron deklarata e klubit për refuzimin e kontratës. Thotë se nuk qëndron ajo që është thënë nga klubi.
Kryeziu ka shtuar se të vërtetën e tij e dinë edhe shikuesit e Zurichut.
Ai nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij. Por thotë se shumë shpejt do të vendosë për të ardhmen.
“Kam shkruar pikat që janë të rëndësishme për mua. Dua të nënshkruaj kontratë me një klub që më përshtatet plotësisht mua dhe nevojave të mia. Kam marrë disa oferta, por ende nuk e kam gjetur të duhurën. Nuk do ta lejoj veten të izolohem”.
Kryeziu insiston se tashmë ndihet më i qetë pas largimit nga Zurichu.
“Si thashë, nuk po stresohem. Po mendoj se diçka do të ndodhë në të ardhmen e afërt. E shoh faktin që afati kalimtar është mbyllur. Por unë jam lojtar i lirë, kështu që mund t’i bashkohem çdo ekipi. Nëse një ekip ka nevojë për një qendërmbrojtës me përvojë që luan me këmbën e majtë, opsionet nuk janë aq të shumta. U besoj njerëzve me të cilët po punoj”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka thënë se pas largimit nga Zurichu nuk i ka ndërprerë stërvitjet për asnjë ditë.
“Dita ime është e organizuar pak a shumë njëjtë si më parë. Në mëngjes jam në palestër dhe pasdite jam rregullisht në fushë, duke punuar me topin. Kam angazhuar një trajner. Përveç dy javëve të pushimit pas largimit nga Zurichu, jam stërvitur çdo ditë”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu ka luajtur edhe për Kosovën dhjetë ndeshje. Para se në vitin 2021 t’iu bashkohej “Dardanëve”, Kryeziu luajti për Zvicrën deri në grupmoshën U20.