Mbi 12 milionë euro do të investohen në stadiumin e qytetit të Gjilanit. Kështu ka bërë të ditur të martën zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ajo ka shkruar se është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan.
“Sot është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan. Vlera e investimit është 12,783,110 milionë euro.
Ky stadium nuk është thjesht një projekt infrastrukturor për Gjilanin, por është pjesë e identitetit të qytetit. Një hapësirë ku gjenerata të tëra janë lidhur me futbollin, emocionin, pasionin dhe historinë. Pas shumë vitesh ndalesa, mungesë serioziteti dhe profesionalizmi, punimet nisin tash dhe pritet të përfundojnë brenda 24 muajve. Projekti ka hyrë në binarë të qartë dhe do të ndiqet me përkushtim nga MKRS dhe të gjithë akterët përkatës. Faleminderit secilit individ, zyrtar shtetëror, komunitetit të futbollit dhe tifozëve për angazhimin dhe këmbënguljen e tyre në realizimin e këtij projekti”, shkruan Osmani në rrjetet sociale.
Sipas projektit të ri, stadiumi në Gjilan do të mbulohet në tërësi.
Guri themeltar për rinovimin e stadiumit në Gjilan ishte vendosur në vitin 2017. Në bazë të projektit të vjetër, rinovimi është dashur të përfundonte më 23 tetor të vitit 2020. Punimet u ndërprenë në gusht të vitit 2022, kur Komuna e Gjilanit shkëputi kontratën me kompaninë e kontraktuar. Tani thuhet se, punimet do të nisin shumë shpejt.