Futboll

Masa shumë të rrepta sigurie për ndeshjen me Serbinë

Ndeshja Shqipëri-Serbi

Shqipëria ka vendosur të rrisë nivelin e sigurisë për ndeshjen e futbollit kundër Serbisë. Mediat tiranase kanë raportuar se shteti shqiptar ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie në stadiumin "Arena Kombëtare" dhe jashtë tij.

Ndeshja Shqipëri – Serbi vlerësohet e rrezikshmërisë së lartë dhe për këtë arsye autoritetet kanë planifikuar masa të jashtëzakonshme sigurie për të garantuar një mbrëmje sportive të qetë dhe pa incidente, ka raportuar të mërkurën gazeta “Panorama Sport”. 

Dueli ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë luhet më 7 qershor në Arenën Kombëtare në Tiranë dhe i takon kualifikimeve për Botërorin 2026. 

Siç shkruan gazeta tiranase, në stadium po instalohen sisteme moderne sigurie, që përfshijnë kamera me njohje fytyre dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale. 

“Kjo teknologji do të ndihmojë në identifikimin e menjëhershëm të personave potencialisht problematikë”, shkruan “Panorama Sport”.

Raportohet se policia ka përgatitur një plan të detajuar kontrolli, që përfshin verifikimin e biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium. Tifozëve do t’u ndalohet hyrja me çadra shiu, shishe, çanta më të mëdha se A4, objekte metalike apo çdo gjë tjetër që mund të shkaktojë rrezik. 

“Për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme. Gjithashtu, në stadium do ketë prezencë të lartë të forcave të policisë dhe njësive antiterror”, shkruan gazeta tiranase.

Shqipëria e Serbia janë përballur në kualifikimet për “Euro 2016”. Ndeshja në Beograd, më 14 tetor 2014, u ndërpre pasi huliganët dhe lojtarët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Ajo ndeshje në fund ishte regjistruar me rezultatin 3:0 në të mirë të Shqipërisë.

Më 8 tetor 2015 në Elbasan, Serbia kishte fituar 2:0 ndaj Shqipërisë. Ndeshja ishte zhvilluar në masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nuk u ka ngjarë ndeshjeve të zakonshme të kuqezinjve. Atmosfera, për shkak të masave, ishte shumë e zbehtë dhe kjo kishte ndikimin në paraqitjen në fushën e blertë.

Shqipëria ishte kualifikuar në Evropian, ndërsa Serbia kishte mbetur e parafundit në grup.