Maroku do të luajë kundër Senegalit në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës të dielën në Rabat nga ora 20:00.
Maroku do të mundohet që ta përfundojë periudhën 50-vjeçare të pritjes së triumfit në këtë garë. Në rast të fitores, do të ishte trofeu i dytë i fituar në Kupën e Kombeve të Afrikës për Marokun e mbushur me yje.
Senegali, fitues i trofeut në vitin 2021, po ashtu e synon trofeun e dytë.
Është edicioni i 35-të i turneut që zgjati katër javë.
Si Maroku ashtu edhe Senegali, ishin prej favoritëve kryesorë për të triumfuar.
Maroku përparësi do ta ketë përkrahjen e tifozëve, në stadiumin “Prince Moulay Abdellah”, që ka kapacitet prej 69 mijë e 500 ulëseve.
Senegali në këtë ballafaqim do të jetë pa qendërmbrojtësin dhe kapitenin, Kalidou Koulibaly, për shkak të suspendimit me kartonë të verdhë.
Të dyja këto përfaqësuese e kanë siguruar Kupën e Botës që organizohet në këtë vit në Kanada, Meksikë dhe SHBA.