Futboll

Maresca i beson një 16-vjeçari që vlerësohet me potencial

Reggie Walshin

Chelsea ka qenë kaq dominues në Ligën e Konferencës, sa që e ka pasur mundësinë që t’u jap rastin edhe lojtarëve fare të rinj në moshë. 

“Blutë” të enjten mbrëma fituan 4:1 në udhëtim te Djurgardeni në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Konferencës. 

Dhe një tjetër 16-vjeçar e pati rastin që ta shijonte një mbrëmje të kupës evropiane. 

Bëhet fjalë për Reggie Walshin, që ende është nxënës i shkollës së mesme. Ai u inkuadrua në minutën e 88-të. 

Walsh nuk mund të nënshkruajë kontratë profesionale për shkak të moshës. Një gjë të tillë do ta bëj kur të jetë 17-vjeçar. 

Në “3Arena”, ai luajti në Ligën e Konferencës vetëm gjashtë muaj e 11 ditë pasi i mbushi 16 vjeç. 

Walsh ishte afër që të realizonte gol me prekjen e parë të topit. 

“Ai është shumë i ri por mënyra se si duam të luajmë, në stilin tonë, ai është i përkryer. Por ende është i ri, duhet të mësojë, të punojë fort dhe të rritet natyrisht. Jemi të lumtur për të. Kemi tetë debutues këtë sezon nga Akademia. Mendoj se është gjë e mirë”, ka deklaruar Maresca pas ndeshjes. 

Walsh vlerësohet si mesfushor me aftësi të shkëlqyera. Ai ka katër gola dhe dy asistime në 15 ndeshje me grupmoshën U18, ndërsa ka edhe dy ndeshje me grupmoshën U21.