Julen Lopetegui do të jetë selektor i ri i nikoqirit të Botërorit të kaluar, Katarit.
Sipas Federatës së Futbollit të Katarit, spanjolli 58-vjeçar do ta udhëheqë ekipin shtetëror deri në vitin 2027.
Ai do të jetë zëvendësues i Luis Garcias.
Lopetegui do të debutojë në krye të Katarit në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës 2026 më 5 qershor kundër Iranit.
Lopetegui së fundmi ishte trajner i West Hamit në Premier League.
Ai ka drejtuar edhe Wolverhamptonin dhe Sevillan, me të cilën e fitoi Ligën e Evropës.
Lopetegui ishte edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Spanjës.
Megjithatë, në vitin 2018, ai u lirua nga Federata e Futbollit të Spanjës vetëm dy ditë para Kupës së Botës në Rusi, pasi kishte nisur bisedimet me Real Madridin, pa e informuar federatën.
Aventura te Real Madridi kishte përfunduar pas 14 ndeshjeve.