Futboll

Liverpool – Manchester United, kryendeshja në Angli

Liverpool

Liverpool – Manchester United konsiderohet prej derbive më të mëdhenj në futbollin evropian.

Derbi i së dielës në “Anfield” vë përballë skuadrat që janë në pozita dhe formë krejt të ndryshme.

Ndeshja zhvillohet nga ora 17:30 dhe i takon xhiros së tetë të Premier Leagues.

Kampioni në fuqi të Anglisë, Liverpooli, është në krizë të rezultateve. Ka tri disfata radhazi. Në Premier League në dy xhirot e kaluara u mposht nga Chelsea dhe Crystal Palace, kurse në Ligën e Kampionëve pësoi disfatë nga Galatasaray.

“Të kuqtë” kanë 15 pikë në pozitën e dytë. Lider është Arsenali me një pikë më shumë.

Unitedi në shtatë ndeshje në elitë ka tri fitore, një barazim dhe tri disfata. Unitedi këtë edicion nuk është pjesë e garave evropiane. Në Premier League ka fituar dy prej tri ndeshjeve të fundit.

“Djajtë e kuq” janë dukshëm më poshtë në tabelë. Kanë dhjetë pikë dhe e zënë vendin e dhjetë.

Liverpooli ka humbur vetëm një nga 14 takimet e fundit në Premier League kundër Unitedit.

Skuadra që për trajner e ka holandezin Arne Slot, Liverpooli, është i pamposhtur në 20 ndeshjet e fundit në Premier League në shtëpi.

Egjiptiani Mohamed Salah ka shënuar 13 gola kundër Unitedit, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e elitës angleze.

Skuadra e Ruben Amorimit, Unitedi, nuk ka fituar në tetë ndeshjet e fundit në udhëtim në kampionat. Ka dy barazime dhe gjashtë humbje.

Në total dy skuadrat kanë zhvilluar 206 ndeshje. Unitedi ka 80 fitore, Liverpooli 67 dhe 59 herë ndeshja ka përfunduar baras.

Të dielën luhet edhe një ndeshje tjetër, ajo ndërmjet Tottenham Hotspurit dhe Aston Villas që fillon në ora 15:00.

Xhiroja e tetë mbyllet të hënën me ndeshjen ndërmjet West Ham Unitedit dhe Brentfordit, që zhvillohet nga ora 21:00.

Të shtunën do të luhen plot shtatë ndeshje. Manchester City e pret Evertonin nga ora 16:00, kurse Arsenali luan ndaj Fulhamit nga ora 18:30.