Prishtina e ka humbur me rezultat të thellë ndeshjen e parë të raundit të parë kualikfikues të Ligës së Evropës.

Të enjten mbrëma në Tiraspol të Moldavisë, Prishtina u mposht 4:0 nga Sheriffi.

Skuadra moldave ishte favorite dhe këtë e dëshmoi me fitoren me katër gola dallim. Kështu Sheriffi është shumë pranë që të avancojë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.

Ndeshja e kthimit është pas një jave në “Fadil Vokrri”.

Që në minutën e 11-të, kapiteni i Sheriffit, Cyrille Bayala shënoi për 1:0. I njëjti futbollist shënoi në minutën e 19-të për 2:0. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë e takimit.

Bayala, që është reprezentues i Burkina Fasos, e kompletoi “hat-trickun” në minutën e 74-t.

Ndërkohë sulmuesi i ri nigerian, 18-vjeçari Elijah Odede shënoi për 4:0 në minutën e 79-të.

Sheriffi, që ka përvojë edhe në fazën grupore të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës, i krijoi 18 raste gjithsej. Ndërkohë skuadra prishtinase i krijoi gjashtë raste gjithsej.

Goditje që shkuan në kornizë të portës, moldavët i kishin shtatë, kurse lojtarët e Prishtinës tri.

Në short, Sheriffi ishte në vazon e parë, ndërsa Prishtina ishte e fundit në vazon e dytë. Dhe dallimi në cilësi u bë i qartë në ndeshjen e së enjtes mbrëma.

Prishtina nëse eliminohet nga Sheriffi, vazhdon në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Prishtina ka bërë ndryshime të shumta në skuadër gjatë verës dhe kjo ka ndikuar edhe në paraqitje.

Prishtina po pëson thellë, 4:0

1 d. më parë / 10 kor 2025 20:38
Prishtina

Prishtina e ka pësuar edhe golin e katërt në Moldavi.

Për 4:0 në të mirë të Sheriffit realizoi Elijah Odede në minutën e 79-të.

Prishtina po pëson 3:0

1 d. më parë / 10 kor 2025 20:31
Prishtina

Sheriffi i Tiraspolit po udhëheq 3:0 ndaj Prishtinës në Moldavi.

Bayala ka kompletuar “hat-trickun” në minutën e 74-t.

Prishtina po pëson 2:0 pas pjesës së parë

1 d. më parë / 10 kor 2025 19:54
baftiu

Skuadra e Prishtinës është duke u mposhtur 2:0 pas pjesës së parë nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë.

Për 1:0 realizoi Cyrille Bajalka në minutën e 11-të. Bayala shënoi edhe në minutën e 19-të për 2:0.

Ndeshja Sheriff – Prishtina i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës.

Sheriffi po udhëheq 2:0 ndaj Prishtinës

1 d. më parë / 10 kor 2025 19:21
Sheriffi po udhëheq 2:0 ndaj Prishtinës

Skuadra e Prishtinës e ka pësuar edhe golin e dytë në ndeshjen ndaj Sheriff Tiraspolit në Moldavi.

Bayala shënoi edhe në minutën e 19-të. Ai realizoi me goditje nga zona, pas një ndërprerjeje.

Prishtina pëson golin e parë

1 d. më parë / 10 kor 2025 19:17
Sheriff Tiraspol

Sheriff Tiraspoli ka kaluar në epërsi ndaj Prishtinës.

Për 1:0 realizoi Cyrille Bajalka në minutën e 11-të. Amarildo Gjoni bëri asistimin.

Prishtina me tre sulmues ndaj Sheriffit

1 d. më parë / 10 kor 2025 18:01
Prishtina

Është publikuar formacioni i Prishtinës për ndeshjen kundër Sheriff Tiraspolit.

Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, do të paraqitet me tre sulmues në ndeshjen kundër ekipit moldav. 

Në sulm është treshja Leotrim Kryeziu, Blend Baftiu dhe Valmir Veliu. Në mesfushë do të paraqiten katër mesfushorët, Ardian Muja, Ardian Limani, Hamdi Namani dhe Ramiz Bytyqi. Ndërkohë në vijën e fundit do të paraqiten Leonat Vitija Philippe Boueye dhe Ron Raçi, derisa në portë do të paraqitet Agron Kolaj.

Ndeshja Sheriff – Prishtina luhet sonte nga ora 19:00 dhe i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës.