Rey Manaj ka shënuar supergol, ka festuar me shqiponjë dhe ka bërë që të festojnë gjithë shqiptarët nëpër botë.
Me golin e Manajt, Shqipëria ka shënuar njërën prej fitoreve më të mëdha në histori. E ka mposhtur Serbinë në Leskovc me rezultatin 1:0, për hapin e madh drejt plejofit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Ndeshja është luajtur në stadiumin e vogël të Leskovcit. Por festa shqiptare ishte e madhe.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, pas një goditje dënimi, topi erdhi tek Arlind Ajeti. Ai e huqi topin, por në një mënyrë asistoi për Manajn. Manaj goditi bukur dhe dërgoi topin në rrjetë. Vrapoi drejt bankës së rezervistëve të Shqipërisë, ndërsa festoi duke formuar figurën e shqiponjës dykrenare. Në festë iu bashkuan të gjithë lojtarët e trajnerët.
Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë, por edhe e gjithë ndeshja.
Shqipëria tani i ka 11 pikë në vendin e dytë të Grupit K të kualifikimeve për Botërorin 2026. Serbia mbetet në vendin e tretë me shtatë pikë, ndonëse ka një ndeshje më pak të luajtur. Fitorja në Leskovc do të thotë që Shqipëria është shumë afër vendit të dytë në grup, që siguron plejofin.
Ndeshja në Leskovc ishte vlerësuar finale për vendin e dytë. Presioni ishte i madh, por ai është menaxhuar më mirë nga kuqezinjtë.
Në pjesën e parë në fushë kanë dominuar vendësit. Golin megjithatë e shënoi Shqipëria.
Ndërkohë në pjesën e dytë për kohë të gjatë kanë dominuar lojtarët e Shqipërisë. Në minutat e fundit serbët i kishin disa raste, por pa konkretizuar. Dhe festa e zjarrtë ishte e gjitha për shqiptarët.
Ka pasur thirrje “Kosova, Serbia” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Kur u shënua goli dhe kur u shfaq shqiponja Manaj, ka pasur thirrje edhe “mbyte, mbyte shqiptarin”.
Fyerjet janë dëgjuar shpesh, por vetëm sa kanë motivuar lojtarët e përzgjedhur nga Sylvinho. Ata do të hyjnë në histori si autorë të njërës prej fitoreve më të dashura për gjithë shqiptarët.
Duka flet pas fitores ndaj Serbisë
Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka:
Pasi mbaron ndeshja kupton se je në ekzaltimin e festës. Nuk e mban mend çka ke thënë. Kemi festuar me njerëzit që kishim afër dhe me skuadrën.
Rezultat shumë i mirë. Sportivisht i rëndësishëm i domosdoshëm që na mban në garë për ëndrrën tonë.
Kemi drejtë të festojmë. Djemtë kanë dhënë maksimumin. Kur fiton duket që asgjë nuk është bërë keq. Kemi drejtë të festojmë dhe më pas të mendojmë për të ardhmen.
Organizimi ishte fantastik. Federata serbe i mori notat pozitive. Ne jemi pajtuar që të ndërrojmë vendin dhe jam i gëzuar që në një mënyrë ky është hap pozitiv në historitë negative që janë krijuar në përballjet tona.
Federata serbe e kishte obligim të bënte këtë organizim, pasi ne në Elbasan dhe Tiranë organizuam shumë mirë.
Fitorja shumë e bukur. Ishim të emocionuar deri në fund. Ekipi nuk e vuri në dyshim fitoren. Ne kishim mundësi për golin e dytë dhe u menaxhua shumë mirë ndeshja. Përkushtimi ishte maksimal. Fitore shumë e bukur.
Një skuadër fituese nuk diskutohet, një trajner që fiton nuk ndërrohet.
Arbitri sonte ishte njëri prej më të mirëve në Evropë. Ishte një gjykim korrekt, por nuk kishte ndonjë presion të jashtëzakonshëm nga lojtarët në fushë që ai të gabonte.
Selektori serb: Kam ofruar dorëheqje
Në Serbi po e vajtojnë humbjen nga Shqipëria. Po kërkohet dorëheqja e selektorit Dragan Stojkoviq, ndërsa ai ka njoftuar se e ka ofruar atë.
“Kam biseduar. Kam ofruar dorëheqje. Këtë humbje nuk e kam pritur. Dhe atë me ekipin që e kemi rival direkt për vendin e dytë. Jam dikush që merr përgjegjësi. Nuk jam fajtor. Mos u brengosni, më vjen keq që kemi humbur. Kështu është në sport, në jetë dhe në futboll”, ka thënë Stojkoviq në konferencë për shtyp.
Ai ka thënë se i takon përgjegjësia, ndërsa ka theksuar se lojtarët nuk duhet të kritikohen.
Rey Manaj: Nuk ka rëndësi kush luajti, por që fitoi Shqipëria
Sulmuesi Rey Manaj:
Një nga ditët më të bukura të jetës sime. Pas ndeshjes së parë me Serbinë disa komente nuk i meritoja. Kemi familje, prindër, motra. Por i kam harruar ato. E rëndësishme që e gjithë Shqipëria, e gjithë Kosova janë krenarë me qunat.
Tani kemi edhe dy ndeshje dhe duhet të shohim para.
Në pjesën e parë mora një goditje në gju.
Edhe Daku e meritonte të luante nga fillimi, si të gjithë të tjerët.
Nuk ka rëndësi kush luajti, por që Shqipëria i fitoi tri pikët.
U them të gjithëve që të shijojnë këtë moment. Para 11 viteve kemi luajtur me Serbinë. Sonte i rrahëm në shtëpinë e tyre. Duhet të kënaqemi dhe të festojmë të gjithë.
Pasi shënova gol nuk e pash fare që mora karton. Unë festova me shqiponjë.
Berat Gjimshiti: Festë për të gjithë shqiptarët
Kapiteni Berat Gjimshiti:
Kishte emocione sidomos pas ndeshjes. Presioni ishte i madh. Por kam përvojë në jetën e futbollit dhe di si të përballem me presionin.
Prapë ishte speciale të luajmë këtu në Leskovc, siç i themi ne. Vendi im është këtu afër.
Festë për gjithë shqiptarët. Shpresoj t’i kemi bërë pak të lumtur.
Duhet të kesh edhe kualitet të luash në këto nivele. Por me Ajetin kuptohemi shumë mirë. Kemi luajtur bashkë në grupmoshat e reja të Zvicrës. Më pas vendosëm të luajmë bashkë për Shqipërinë. Por gjithë mbrojtësit, gjithë ekipi luajti lojë të mirë. Kemi luftuar për çdo top.
Urimi i parë ishte i bashkëshortes, familjes. Kishte shumë mesazhe. Nuk i kam hapur të gjithë. U jam përgjigjur familjarëve, prindërve, gruas, fëmijëve. Ka shumë mesazhe.
Kristjan Asllani: Erdhëm vetëm për tri pikë
Mesfushori Kristjan Asllani:
“E dinim që na duhej vetëm fitorja. Kemi ardhur për tri pikë. Jemi shumë të lumtur për ne, për gjithë shqiptarët. Për ne është dita më e bukur në Kombëtare. Është ndeshja më e bukur, që e kemi luajtur me zemër dhe jemi shumë të lumtur.
Jemi të lumtur që Rey Manaj shënoi golin, sidomos për shkak të penalltisë në Tiranë.
Për mua ishte ndeshje shumë e vështirë. Në pjesën e dytë kemi luajtur më thjeshtë. Sot janë tre pikë dhe të gjithë shqiptarët janë të lumtur për këtë.
Barazimi do të ishte shumë pak dhe erdhëm vetëm për ta fituar ndeshjen. E dinim dhe jam shumë i lumtur për gjithë shqiptarët”.
Elseid Hysaj: Fitoren e marrim me shumë zemër
Mbrojtësi Elseid Hysaj:
Kemi gabuar në dy ndeshje që po të mos gabonim do të festonim edhe më shumë. Këtë fitore e marrim me shumë zemër, me krenari, por duhet ta dimë që kemi edhe dy ndeshje.
Jemi një grup fantastik. Jam shumë i kënaqur që kemi krijuar këtë grup. Sulmuesit po shënojnë gola të rëndësishëm dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.
Sot dola për të parë fushën dhe u thash lojtarëve që mos t’u duket qetë. U thash se është ndeshje e vështirë, se tifozët do të ndezen më vonë dhe kështu ndodhi.
Shqiptarët po festojnë në shumë vende
Festa e Shqipërisë ndaj Serbisë solli festë në gjitha qytetet shqiptare.
Po festohet në Prishtinë, Mitrovicë, Tiranë e në të gjitha qytetet tjera.
Por po festojnë edhe shqiptarët në vende të ndryshme në Evropë e nëpër botë.
Uzuni: Për Shqipërinë vdes në fushë
Sulmuesi Myrto Uzuni:
Për këtë fanellë jam i gatshëm të jap çdo gjë dhe të vdes në fushë madje. Dua të sakrifikoj për ekipin kombëtar. Nuk më intereson edhe në luaj mbrojtës i majtë. Sot kisha një kundërshtar të vështirë. Është fitore e madhe. Të gjithë kemi bërë punë shumë të madhe dhe jemi të lumtur që kemi hyrë në histori.
Unë pres momentin tim. E rëndësishme është që kemi fituar sonte.
Është ndjesia më e mirë për futbollistin që të luajë për kombin e vet, të prezantojë familjen e vet.
Të paraqitem në Kupën e Botës në SHBA do të ishte gjëja më e bukur dhe dhurata më e bukur për mua.
Juljan Shehu: E bëmë gjithë shqiptarinë krenare
Mesfushori i Shqipërisë, Julian Shehu:
Emocionet janë të papërshkrueshme. Jemi super të lumtur, super të kënaqur. Një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Jam shumë i lumtur që bëmë gjithë shqiptarinë krenare sonte.
Motivi ishte maksimal sot. E kemi ditur të gjithë që ishte jetë a vdekje. Të gjithë dhamë maksimumin dhe bëmë të mundur që të jetë dita jonë dhe të festojmë këtë moment.
Mediat serbe: Tragjedi
Mediat serbe e kanë përjetuar rëndë humbjen e Serbisë nga Shqipëria.
“Tragjedi dhe fundi i ‘idesë’ së Stojkoviqit: Shqipëria në Leskovc shoi shpresat e Serbisë për Botëror”, ka shkruar “sportal.rs”.
“Serbia dëshpëruese humb nga Shqipëria, fishkëllima në Leskovc për reprezentacionin e Stojkoviqit”, shkruan “nova.rs”.
“Debakël i Serbisë në Leskovc – porosi e qartë nga tribunat për Piksin”, shkruan “b92.net”.
“Turpërim dhe katastrofë: Shqipëria ngulit Serbinë dhe Piksin”, shkruan “Sportklub”.
Një orë lojë, Shqipëria në epërsi
Ka kaluar një orër lojë në ndeshjen Serbi – Shqipëri.
Kuqezinjtë janë në epërsi 1:0 me golin e Rey Manajt.
Manaj, shqiponja e Shqipërisë në Leskovc
Shqipëria është në epërsi 1:0 pas pjesës së parë të ndeshjes me Serbinë në Leskovc. Rey Manaj shënoi gol të bukur në minutën e dytë shtesë.
Ai festoi duke formuar figurën e shqiponjës dykrenare.
Ka pasur thirrje “mbyte shqiptarin” pas golit të Manajt.
Festa e kuqezinjve ishte e zjarrtë e pasionante.
GOOOOOL - MANAAAAAAJ
Rey Manaj ka shënuar për epërsinë 1:0 të Shqipërisë ndaj Serbisë. Ai festoi me shqiponjë.
Tensionet e para në fushë, rezultati 0:0
Ka ardhur te tensioni i parë në fushë mes lojtarëve të Serbisë e Shqipërisë. Por arbitri ka kthyer shpejt qetësinë.
Rezultati pas 25 minutave lojë mbetet 0:0.
Thirrje anti-Kosovë në Leskovc
Tashmë kanë nisur thirrjet anti-Kosovë në ndeshjen Serbi – Shqipëri.
Janë dëgjuar thirrje “Kosova, Serbia” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.
Thirrjet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
15 minuta lojë, Shqipëria në mbrojtje
Në atmosferë kryesisht të qetë po luhet ndeshja mes Serbisë e Shqipërisë.
Tashmë janë luajtur 15 minuta, ndërsa rezultati mbetet 0:0. Serbia e ka iniciativën, por pa krijuar ndonjë rast të mirë shënimi.
Kuqezinjtë janë ndalur në mbrojtje.
Fishkëllehet himni shqiptar
Është fishkëllyer himni shqiptar para ndeshjes Serbi – Shqipëri.
Në stadiumin “Duboçica” në Leskovc nuk duket të ketë grupe të organizuara tifozësh.
— OvoOno (@OvoOnoX) October 11, 2025
Fishkëllima kur lojtarët e Shqipërisë dalin në fushë
Janë dëgjuar fishkëllima kur lojtarët e Shqipërisë dolën në fushën e stadiumit “Duboçica” në Leskovc.
Stadiumi ende po mbushet, ndërsa 20 për qind e kapacitetit të tij do të jetë i zbrazët. Pas njërës portë është vendosur një flamur i madh.
— Dečak iz kraja (@Virim_iz_coska) October 11, 2025
Atmosferë e zbehtë në Leskovc
Nuk ka shenja të ndonjë entuziazmi në Leskovc ku luhet ndeshja Serbi – Shqipëri.
Rreth një orë para fillimit të ndeshjes rrugës së Leskovcit shihen shikues të zakonshëm, por jo në numër të madh.

Serbët i frikësohen gjyqtarit Istvan Kovacs
Dueli mes Serbisë dhe Shqipërisë ka marrë vëmendje të madhe.
Vëmendje të madhe, mediumet serbe i kanë kushtuar edhe gjyqtarit të ndeshjes, Istvan Kovacs.
Kovacs është gjyqtar nga Rumania, ndërsa “Kurir.rs”, ka shkruar për siç thonë nga ky medium, “skandalet” në të kaluarën.
Kovacs ishte gjyqtar kryesor i finales së Championsit ndërmjet PSG-së dhe Interit këtë vit.
Ai ishte edhe gjyqtar kryesor i duelit final të Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit, si dhe i finales së Ligës së Evropës mes Atalantas dhe Bayer Leverkusenit.
“Kurir” ka shkruar se Kovacs e kishte referuar edhe ndeshjen mes Serbisë dhe Sllovenisë në Kampionatin Evropian në Gjermani.
“Në vitin 2018, rumuni ishte në qendër të skandalit pas ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Suedisë dhe Turqisë. Suedia fitoi falë penalltisë së Andreas Granqvistit në minutën e 71-të, ndërsa bashkëlojtari i tij Marcus Berg, pas ndeshjes kishte dhënë deklaratë që ngriti shumë pluhur”, ka shkruar fillimisht mediumi serb.
“Pas pjesës së parë shkova te gjyqtari për t’u ankuar se nuk na dha një penallti pas faullit në mua. Ai më shikoi dhe tha: Do ta shikoj edhe një herë situatën në dhomën e zhveshjes. Nëse kam bërë gabim, do t’u jap dy penallti në pjesën e dytë”, ka shkruar “Kurir” duke e kujtuar një deklaratë të Bergut në atë kohë.
Mediat serbe raportojnë edhe për një të arrestuar
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Prokuple e kanë arrestuar një shtetas të Italisë, 35-vjeçar, me inicialet E.E, pasi ka pasur veshur fanellë me mbishkrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shkruar “b92” të shtunën në mbrëmje.
Ku medium ka shkruar se të njëjtit i është gjetur edhe një çantë në bagazhin e makinës “Peugeot”, e në të fanella me ngjyrë të gjelbër e me shenjën e UÇK-së.
Sipas “b92”, E.E do të mbahet në paraburgim 48 orë dhe do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple për kallëzim penal.
Në Serbi të enjten raportuan se është arrestuar edhe një shqiptar 53-vjeçar, me inicialet D.P, në pikëkalimin e Merdarit.
Ndërkohë, “Sportklub” ka shkruar se policia, për të parandaluar shqiptarët për të hyrë në stadium, është duke ua kontrolluar telefonat secilit, për të parë nëse kanë fotografi me simbole shqiptare.
Formacioni i Shqipërisë ndaj Serbisë
Selektori i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, e ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Serbisë.
Ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Duboçica” në Leskovc dhe i takon Grupit K. Është e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në portë do të jetë Thomas Strakosha. Në repartin defensivë janë Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Elseid Hysaj.
Mesfusha përbëhet prej Qazim Laçit, Kristjan Asllanit dhe Juljan Shehut.
Sulmit i prijnë Armando Broja, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni.

Në Leskovc shumë policë, pak eufori tifozësh
Stadiumi i vogël në Leskovc do të jetë i mbushur me shikues për ndeshjen Serbi – Shqipëri.
Por ky qytet i vogël të shtunën ishte i qetë dhe sipas mediave serbe vazhdon të jetë i tillë.
Në rrugë ka forca të shumta të policisë, por jo ndonjë organizim tifozësh.
Masat e sigurisë janë të rrepta për ndeshje.