Prishtina ka shënuar fitore të vlefshme, por jo të mjaftueshme për të mbetur në kualifikimet e Ligës së Evropës.
Të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Prishtina fitoi 2:1 ndaj skuadrës së madhe moldave, Sheriff Tiraspol. Por është Sheriffi që avancon në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, falë fitores 4:0 në ndeshjen e parë në Tiraspol.
Prishtina megjithatë vazhdon në gara evropiane. Do të zhvendoset në Ligën e Konferencës, ndërsa do të paraqitet në raundin e dytë kualifikues. Në Ligën e Konferencës, skuadra prishtinase përballet me Larnen e Irlandës së Veriut.
Liga e Evropës është niveli i dytë i garave kontinentale, ndërsa Liga e Konferencës është niveli i tretë.
Të tre golat në ndeshjen e së enjtes u shënuan në pjesën e dytë. Pas një gabimi të rëndë në mbrojtjen e Prishtinës, Sheriffi shënoi për 1:0 në minutën e 51-të. Artur Serobyan ishte realizator.
Por skuadra kosovare u kthye. Në minutën e 56-të për 1:1 shënoi Hamdi Namani. Ai realizoi me goditje të fortë me kokë, pas një rivënie nga këndi.
Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, ndërkohë i bëri disa zëvendësime. Dhe njëri prej lojtarëve të aktivizuar si zëvendëses, Rin Ahmeti, shënoi golin e fitores 2:1. Talenti 16-vjeçar shënoi në minutën e 65-të me goditje të saktë nga zona. Ai përfitoi nga një top i kthyer pas bllokimit të gjuajtjes së Ardian Mujës.
Prishtina ka luajtur dukshëm më mirë se në ndeshjen e parë dhe si rezultat shënoi fitore. Që në nismë të ndeshjes prishtinasit kërkuan penallti, por arbitri nuk mendoi njëjtë. Hamdi Namani e Valmir Veliu më pas nuk ishin të saktë, ndërsa rastin më të mirë e lëshoi Veliu në minutat shtesë. Goditja e tij u ndal në vijën e portës.
Te Prishtina nuk do të kenë shumë kohë për të “vajtuar” eliminimin nga Sherifi.
Menjëherë më 24 korrik është ndeshja e parë me Larnen, në Irlandë të Veriut. Ndeshja e kthimit është më 31 korrik në Prishtinë.
Ndeshja e plotë:
Rin Ahmeti: Ndjenjë e papërshkrueshme
Talenti 16-vjeçar i Prishtinës, Rin Ahmeti, ka thënë se është ndjenjë e papërshkrueshme pasi shënoi gol për Prishtinën në Ligën e Evropës.
“Është ndjenjë e papërshkrueshme pasi është goli i parë. Ndihem shumë mirë që kam shënuar sidomos ndaj një ekipi të madh. Shpresoj të vazhdojmë me këso paraqitje dhe të kemi sukses në Ligën e Konferencës”, ka thënë ai.
Arsim Thaqi: Nuk patëm fat
Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, ka thënë se nuk patën fat për të shënuar më shumë gola ndaj Sheriff Tiraspolit.
Prishtina fitoi 2:1, por ishte e pamjaftueshme për të kaluar tutje pasi humbi 4:0 në ndeshjen e parë. Tash në Ligën e Konferencës do të luajë ndaj Larnes.
“Nëse lojtarët tanë përsërisin lojën e sotme, jam i sigurt që do të kalojmë tutje në Ligën e Konferencës. Në futboll ka shumë rëndësi fati. Nuk e patëm fatin as sonte as në ndeshjen e kaluar. I përgëzoj lojtarët për qasjen në ndeshje, karakterin dhe disiplinën taktike. Është shumë me rëndësi të mbajmë këtë ritëm, këtë intensitet. Si skuadër duhet të kalojmë të paktën kundërshtarin e parë në Ligën e Konferencë”, ka thënë ai.
Prishtina në epërsi, shënon talenti 16-vjeçar
Prishtina ka kaluar në epërsi 2:1 ndaj Sheriffit.
Rin Ahmeti 16-vjeçar shënoi në minutën e 65-të.
Ai hyri në lojë si zëvendësues.
Ahmeti shënoi pas një aksioni të gjatë të Prishtinës. Fillimisht u bllokua goditja e Ardian Mujës.
VIDEO:
Barazon Prishtina
Prishtina ka barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Sheriffit.
Hamdi Namani shënoi në minutën e 56-të.
Ai shënoi me kokë nga afërsia pas një goditje nga këndi.
VIDEO:
Sheriffi shënon, Prishtina në prag të eliminimit
Prishtina ka pësuar gol nga Sheriff Tiraspoli dhe është në prag të eliminimit nga kualifikimet e Ligës së Evropës.
Mysafirët shënuan përmes Artur Serobyanit në minutën e 51-të për 0:1, pas gabimit të qendërmbrojtësit të Prishtinës, Boueye.
Sheriffi po udhëheq me rezultat të përgjithshëm 5:0.
VIDEO:
Nuk shënohen gola në pjesën e parë të ndeshjes Prishtina – Sheriff
Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Prishtinës dhe Sheriff Tiraspolit.
Skuadra prishtinase nisi më mirë ndeshjen dhe provoi të shënonte shpejt. Kjo megjithatë nuk ndodhi, ndonëse u krijuan disa gjysmëraste.
Pjesa e parë përfundoi pa gola.
Rastin më të mirë e lëshoi Blend Baftiu në minutat shtesë.
Prishtina ka iniciativën në ndeshje me Sheriffin
Tashmë janë luajtur 20 minuta të ndeshjes mes Prishtinës dhe Sheriff Tiraspolit.
Prishtina po dominon sa i takon iniciativës, por rezultati mbetet 0:0.
Që në nismë prishtinasit kërkuan penallti, por arbitri mendoi ndryshe. Më pas lojtarët e skuadrës kosovare kanë krijuar edhe disa gjysmëraste të tjera.
Prishtina luan me tre sulmues ndaj Sheriffit
Kapiteni Leotrim Kryeziu do të paraqitet në qendër të sulmit, ndërsa përkrah tij në sol do të jenë Valmir Veliu dhe Blend Baftiu.
Titullar te Prishtina në ndeshjen kundër Sheriff Tiraspolit paraqitet mesfushori Gjelbrim Taipi. Në mesfushë do të paraqiten edhe Hamdi Namani dhe Ardian Muja. Katërshen e mbrojtjes e përbëjnë Ardian Limani, Philippe Boeye në qendër, kurse në krahun e djathtë të mbrojtjes do të paraqitet Ramiz Bytyqi. Në krahun e majtë është Ron Raçi derisa në portë ndaj Sheriffit paraqitet Agron Kolaj.
Ndeshja Prishtina – Sheriff Tiraspol, luhet sonte nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri”. Është ndeshja kthyese e raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshjen e parë në Tiraspol, Sheriffi e fitoi 4:0 ndaj Prishtinës.
