Vojvoda: Kemi shumë nevojë për tifozët

7 o. më parë / 6 qer 2025 21:43
Mergim Vojvoda

Në fitoren 5:2 të Kosovës ndaj Armenisë me gol kontribuoi edhe mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda.

Vojvoda pas ndeshjes deklaroi se Kosova ka nevojë shumë për tifozët.

“Jemi shumë krenar që e përfaqësojmë Kosovën. Kemi shumë nevojë për të gjithë tifozët, për të gjithë ‘Dardanët’. Shpresojmë që të bëjmë diçka të madhe, të kualifikohemi në një kompeticion evropian dhe ai është qëllimi ynë”, ka thënë Vojvoda.

Emërllahu: Golin ia dedikoj familjes dhe bashkëlojtarëve

7 o. më parë / 6 qer 2025 21:41
Kosova - Armenia

Foto: Nikollë Quni

Lindon Emërllahu realizoi gol të bukur në fitoren 5:2 të Kosovës ndaj Armenisë. 

Për Emërllahun ky ishte goli i parë i realizuar me fanellën e Kosovës. 

Emërllahu thotë se golin ia dedikon familjes dhe bashkëlojtarëve. 

“Jam shumë i lumtur për këtë gol. Golin ia dedikoj familjes sime që më ka mbështetur gjithmonë. Po ashtu ia dedikoj edhe bashkëlojtarëve pasi që kemi formuar një gurp mjaftë të mirë me lojtarë të cilët luajnë në Evropë po ashtu edhe ne lojtarët e rinjë”, u shpreh ai.

Zabërgja: Ndjenjë e jashtëzakonshme që të luash për Kosovën

7 o. më parë / 6 qer 2025 21:29
Perfaqesuesja e Kosoves

Sulmuesi i krahut, Baton Zabërgja, debutoi për Kosovën në ndeshjen ndaj Armenisë. 

Zabërgja e fitoi penalltinë te goli i barazimit për 2:2 të cilin e realizoi Mërgim Vojvoda. 

24-vjeçari Zabërgja ka deklaruar pas ndeshjes se është ndjenjë e jashtëzakonshme që ta përfaqësosh Kosovën. 

“Është ndjenjë e jashtëzakonshme për çdo futbollist që ta përfaqësosh Kosovën. Trajneri më uroi për ndeshjen e mirë, më tha se me pak qetësi do të shënoje dy apo tri gola në këtë ndeshje”, ka thënë ai.

Dellova: Jam shumë i lumtur për golin

7 o. më parë / 6 qer 2025 21:22
Lumbardh Dellova

Qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova është shprehur i lumtur pas supergolit që e shënoi ndaj Armenisë.

Kosova e mposhti Armeninë në ndeshje miqësore me rezultatin 5:2 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Mundohem që gjithmonë ta jap më të mirën për Kosovën. Jam shumë i lumtur për golin, shpresojmë që të vazhdojmë kështu me fitore. Shpresoj që edhe në shtator t’i fitojmë dy ndeshjet, t’i gëzojmë tifozët që gjithmonë na rrinë pranë”, ka thënë Dellova pas ndeshjes.

Kosova vazhdon me fitore, “shpërthen” ndaj Armenisë

7 o. më parë / 6 qer 2025 20:53
Kosova-Armenia

Foto: Nikolle Quni

Kosova ishte dy herë në disavantazh. Por në fund shënoi fitore bindëse ndaj Armenisë, me rezultatin 5:2.

Ndeshja e së premtes mbrëma ishte miqësore, ndërsa u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”. Interesimi për këtë ndeshje ishte i vogël, kurse momentet interesante nuk kanë munguar.

Fitorja e Kosovës ishte e pritur. Armenia nuk vlerësohet se është në nivelin e përfaqësueses së Kosovës.

Ndeshja nisi keq për të përzgjedhurit e Franco Fodas. Pas një ndërhyrje të zbehtë të mbrojtjes, Nair Tiknizyan goditi. Por ishte portieri Amir Shaipi që e devijoi topin në portën e tij.

Në pjesën e parë ndeshja ishte plotësisht e hapur. Në minutën e 23-të Lumbardh Dellova shënoi gol të bukur për 1:1.

Por menjëherë në minutën e 29-të armenët kaluan në epërsi 2:1.Eduard Spertsyan ishte realizator.
Me rezultatin 2:1 në të mirë të mysafirëve përfundoi pjesa e parë. 

Dhe pjesa e mirë ishte e tëra për “Dardanët”. Pas një ore lojë Baton Zabërgja u ndal në zonë në mënyrë të palejuar. I saktë nga pika e bardhë ishte mbrojtësi Mërgim Vojvoda. Ai shënoi për 2:2 në minutën e 61-të. Vojvoda në këtë takim ishte kapiten.

Selektori Foda në minutën e 63-të i bëri katër ndryshime në përbërje e në minutën e 69-të edhe të pestin. Dhe ndryshimet sollën rezultat. Njëri prej atyre që u aktivizuan, Lindon Emërllahu shënoi gol të bukur për 3:2 në minutën e 71-të. Ndërkohë një tjetër zëvendësues dha shfaqjen finale.

Albion Rrahmani shënoi për 4:2 në minutën e 90-të dhe për 5:2 në minutën e 93-të. Kështu në fund fitorja ishte bindëse, pos e pritur.

Në këtë miqësore, Kosova është paraqitur pa lojtarë të rëndësishëm si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Aro Muriq, Milot Rashica, Edon Zhegrova e plot të tjerë. Por zëvendësuesit shfrytëzuan rastin për të vazhduar serinë e fitoreve.

Kosova e shënon edhe golin e katërt

7 o. më parë / 6 qer 2025 20:48
Kosova e shënon edhe golin e katërt

Kosova e ka shënuar edhe golin e katërt ndaj Armenisë. 

Albion Rrahmani ka shënuar për 4:2 në minutën e 90-të.

S’ndalet Kosova, shënon Emërllahu

8 o. më parë / 6 qer 2025 20:31
Kosova-Armenia

Kosova po udhëheq 3:2 ndaj Armenisë.

Golin e përmbysjes së madhe e shënoi Lindon Emërllahu në minutën e 71-të. 

Ai shënoi gol të bukur me goditje nga distanca.

Barazon Kosova

8 o. më parë / 6 qer 2025 20:20
Mërgim Vojvoda

Kosova e ka barazuar rezultatin në 2:2 në ndeshjen ndaj Armenisë.

Nga pika e bardhë shënoi Mërgim Vojvoda në minutën e 61-të. Vojvoda ndaj Armenisë është kapiten.

Penalltia u dha për ndërhyrje të palejuar në Baton Zabërgjën.

Kosova në disavantazh pas pjesës së parë

9 o. më parë / 6 qer 2025 19:47
Futboll

Përfaqësuesja e Armenisë është duke udhëhequr 2:1 ndaj Kosovës pas pjesës së parë. 

Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e tetë me autogolin e shënuar nga portieri Amir Shaipi. 

Lumbardh Dellova i barazoi shifrat për Kosovën në minutën e 23-të. Ai realizoi supergol nga distanca. 

Gëzimi i Kosovës zgjati pak pasi gjashtë minuta më pas, Armenia e ktheu epërsinë përmes golit të cilin e shënoi Eduard Spertsyan. Ai shënoi gol të bukur nga goditja e dënimit.

Armenia sërish në epërsi

9 o. më parë / 6 qer 2025 19:29
Armenia sërish në epërsi

Përfaqësuesja e Armenisë ka kaluar sërish në epërsi ndaj Kosovës. 

Për 2:1 realizoi Eduard Spertsyan në minutën e 29-të.

Supergol nga Dellova, Kosova i barazon shifrat

9 o. më parë / 6 qer 2025 19:25
Lumbardh Dellova

Lumbardh Dellova ka shënuar supergol për Kosovën.

Kosova i ka barazuar shifrat ndaj Armenisë. Për 1:1 realizoi Dellova nga distanca në minutën e 23-të.

Shokohet Kosova, Armenia në epërsi

9 o. më parë / 6 qer 2025 19:10
Armenia

Përfaqësuesja e Armenisë ka kaluar në epërsi ndaj Kosovës.

Për 1:0 realizoi Nair Tiknizyan në minutën e tetë.

Kosova publikon formacionin

10 o. më parë / 6 qer 2025 18:01
kosova

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, e ka publikuar formacionin startues për ndeshjen miqësore ndaj Armenisë, që nis në orën 19:00 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. 

Sulmit të Kosovës do t’i prijë Fisnik Asllani, ndërsa do të debutojë Baton Zabërgja.