Faza përgatitore ishte e mirë. Lojtarët janë gati. Synimi dihet.
Të shtunën mbrëma Kombëtarja e Shqipërisë në futboll luan për gjithë shqiptarët. Luan për fitore ndaj Serbisë.
Ndeshja Shqipëri – Serbi zhvillohet nga ora 20:45 në “Air Albania” në Tiranë. Për kuqezinjtë është ndeshja e tretë kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm. Ndeshja vlerësohet prej më të rëndësishmeve të këtij cikli eliminator. Se është më emocionalja nuk ka dyshim.
Në Federatën Shqiptare të Futbollit janë angazhuar që sfidën ta vlerësojnë vetëm “ndeshje futbolli”. Por me Serbinë asnjëherë nuk do të jetë “vetëm ndeshje”.
“Ekipi është i përgatitur mirë. Këtë herë kemi pasur më shumë kohë sepse kampionatet kanë përfunduar më herët. Jemi gati për nesër. Besoj se nesër tifozëria do të jetë përkrah nesh. Është tifozëria më e bukur në botë për mua. Ka qenë gjithmonë mbështetje shtesë për ne në fushë, sidomos në ndeshjet e rëndësishme. Besoj që edhe nesër do të jetë ashtu”, ka thënë kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti.
Para se të bashkohej me Kombëtare, mbrojtësi me përvojë ishte në Luginë të Preshevës, vendin e tij të lindjes. Atje iu kërkua që të udhëhiqte Kombëtaren drejt fitores.
“Kisha tri-katër ditë pushim dhe shkova të shihja gjyshin dhe gjyshen në vendlindje. Ishte një gjë shumë e rëndësishme ta bëja, pasi nuk kisha kohë viteve të kaluara. Porosia ishte ajo që e keni dëgjuar të gjithë. Jemi të fokusuar te ndeshja. Gjithnjë lypim fitoren. Kundërshtari është shumë i fortë, por ne gjithnjë kërkojmë ta fitojmë ndeshjen”, ka shtuar mbrojtësi Gjimshiti.
Ai e pranon se ndeshja me Serbinë nuk është si gjithë të tjerat.
“Ka disa gjëra emocionale që mund të djegin më shumë disa lojtarë. Duhet të fokusohemi te paraqitja jonë. Kjo është gjëja më e rëndësishme nesër. Emocionet janë në një ndeshje futbolli, por duhet t’i përmbahemi ndeshjes dhe të kërkojmë tri pikët”.
Gjimshiti thotë se mesazhi për tifozët jepet me paraqitje në fushë. Kërkon që secili lojtar të lë çdo gjë në fushë dhe se vetëm kështu tifozët do të jenë të kënaqur, pavarësisht se çka ndodhë. Gjimshti ka përsëritur se janë përgatitur për të përballur kundërshtarin e fortë.
Ai kërkon që kuqezinjtë të fokusohen te të gjithë lojtarët e Serbisë e jo vetëm tek individë të caktuar. Thotë se ky mund të jetë çelësi për sukses.
Selektori Sylvinho ka nisur konferencën duke thënë se kundërshtarja e së shtunës mbrëma është e fortë. Ka përmendur disa lojtarë të Serbisë, por ka thënë se është shumë krenar me lojtarët e tij.
“Serbia ka ekip të fortë, ka lojtarë të mirë si Mitroviq, Vlahoviq, Joviq. Por edhe ne kemi lojtarë të mirë si Broja, Manaj, Uzuni, Bajrami e të tjerët për të cilët jam krenarë. Kundërshtari ka ekip të mirë fizikisht, që bën edhe tranzicion të shpejtë. Shpresojmë të bëjmë ndeshje të bukur. Të gjithë trajnerët e përgatisin ndeshjen për ta fituar. Shpresojmë të dhurojmë ndeshje të bukur, janë 90 minuta të gjatë. Futemi në ndeshje për të marrë tri pikët”, ka thënë Sylvinho.
Tekniku brazilian thotë se kanë pasur gjashtë ditë shumë të mira. Ka refuzuar të zbulojë formacionin, duke theksuar se atë do ta bëj publik një orë para ndeshjes.
Sylvinho ka theksuar se nuk kanë asgjë për të fshehur. Ka thënë se njohin kundërshtarin, njëjtë si kundërshtari Shqipërinë.
Se nuk bëhet fjalë për ndeshje si gjithë të tjerat e ka thënë edhe Sylvinho.
“Qartë se është një ndeshje ndryshe. Por shpresojmë të dhurojmë ndeshje të bukur nga aspekti sportiv, 90 minuta të bukur për t’i shijuar. Të dy skuadrat kanë lojtarë të mirë, trajnerë të mirë. Uroj ta shijojnë të gjithë ndeshjen. Kam dëgjuar që ishin mbi 800 mijë kërkesa dhe janë me fat ata që do të jenë në stadium. Tifozët janë lojtar shtesë për ekipin tonë. Lojtarët janë gati dhe shpresojmë të shijojmë ndeshje të bukur nesër”.
Sylvinho, si zakonisht, kërkon që lojtarët të lënë zemrën në fushë gjatë 90 minutave.
“Të dy skuadrat janë të përgatitura. Është ndeshje ndryshe. Por për futbollin flitet në fushë. Në fushë futemi me intensitet dhe brenda fushës mund të ndodh gjithçka. Do të flasim vetëm me futboll”, ka thënë trajneri i kuqezinjve.
Në mars, Shqipëria humbi 2:0 nga Anglia dhe fitoi 3:0 ndaj Andorrës. Ndërkohë për Serbinë është ndeshja e parë e këtij cikli kualifikues.
Grupet tradicionale të tifozëve nuk do të jenë në përkrahje të Shqipërisë, të revoltuara për mënyrën e ndarjes së biletave dhe politikat e FSHF-së. Por stadiumi do të jetë i stërmbushur me shikues dhe shpresohet që përkrahja për lojtarët të jetë e madhe. E po ashtu presioni për lojtarët e Serbisë.