Tri herë kampioni i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Ballkani, pjesëmarrës dy herë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës, fitoi 1:0 ndaj Shamrock Roversit të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Golin e fitores së Ballkanit e realizoi Sunday Adetunji, në minutën e 56-të. 

Ai u shmang mirë nga një mbrojtës kundërshtar në zonë, dhe më pas me gjuajtje të saktë e mposhti portierin kundërshtar. 

Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Irlandë. 

Në rast se e kalon këtë kundërshtar, Ballkani do të luajë në plejof ndaj fituesit të ndeshjes Larne – Santa Clara. 

Ndeshjet e plejofit luhen më 21 dhe 28 gusht. 
Te skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi, paraqitje shumë të mirë pati edhe portieri slloven, Adnan Goluboviç. 30-vjeçari e shpëtoi dy herë portën duke e larguar topin nga vija. 
Ballkani në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi Florianan e Maltës, kurse Shamrocku ishte më i mirë se St Josephs i Gjibraltarit.
 

Shehi: Nuk ka mbaruar ende asgjë

1 muaj më parë / 7 gus 2025 22:48
Orges Shehi

Trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, është ndarë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij në ndeshjen kundër Shamrock Roversit. Skuadra nga Suhareka mposhti Shamrockun me rezultat minimal 1:0 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. “Jam i kënaqur nga situata nga ajo çka prodhuam në fushë. Futbolli është kështu. Jam i kënaqur me rezultatin dhe duhet të përgatitemi për ndeshjen tjetër. Kam thënë edhe në konferencë se do të jetë vetëm ndeshja e parë. Na mbetet të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen kthyese”, ka thënë Shehi.  

Ndeshja kthyese e raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës luhet pas një jave në Irlandë.

Smajli: Treguam ndeshje shumë të mirë

1 muaj më parë / 7 gus 2025 22:41
Geralb Smajli

Asistuesi i golit të vetëm te Ballkani që fitoi 1:0 ndaj Shamrock Roversit, Geralb Smajli, ka theksuar pas ndeshjes se ai dhe bashkëlojtarët treguan ndeshje shumë të mirë. 

Smajli asistoi në golin e Sunday Adetunjit, që realizoi në minutën e 56-të. 

“Ndeshja ishte e mirë. E kemi përgatitur gjatë gjithë javës dhe e dinim eksperiencën që e ka Shamrock Roversi dhe se do të bënte lojë të mirë. Na vunë në vështirësi por e kishim përgatitur ndeshjen mirë. Kemi përgatitur thuajse çdo gjë. Stafi na tregoi se loja e rrezikshme e tyre ishte në ajër, por ne bëm mirë. Çdo gjë që u pa sonte ishte e përgatitur në stërvitje. Duelet në udhëtim janë të vështira, e kemi parë edhe me Florianan. Por shpresojmë që do të kalojmë mirë edhe tani”, deklaroi pas ndeshjes Smajli.

Deliu: Kishim raste për ta thelluar rezultatin

1 muaj më parë / 7 gus 2025 22:38
Ardit Deliu

Mesfushori Ardit Deliu është ndarë i kënaqur me fitoren ndaj Shamrockut, por ka thënë se Ballkani do ta ketë vështirë në ndeshjen e kthimit në Irlandë. 

Megjithatë, ai ka thënë se skuadra u paraqit mirë dhe mund të bëj befasi edhe në udhëtim. 

“E vërtetë që kishim disa raste të mira ku kemi mundur të shënonim për 2:0 apo 3:0. E kontrolluam gjithë ndeshjen. Me pak fat do ta kishim çuar ndeshjen në avantazh më të thellë dhe do të kishim përparësi për duelin kthyes. Gjithë skuadra po përgjigjet mirë me njëri-tjetrin. Atje do ta kemi edhe më vështirë, kundërshtari do të jetë më agresiv për ta barazuar rezultatin. Do të jetë ndeshje ndryshe”, ka deklaruar Deliu pas ndeshjes.
 

Supergol i Adetunjit

1 muaj më parë / 7 gus 2025 21:47
ballkani

Ballkani është në epërsi ndaj Shamrock Rovers. 

Adetunji realizoi në minutën e 56-të pas një veprimi shumë të mirë individual në zonë.

Ndeshja po luhet në “Fadil Vokrri” dhe i takon raundit të tretë të Ligës së Konferencës.
 

Baras pas pjesës së parë në “Fadil Vokrri”

1 muaj më parë / 7 gus 2025 21:21
Ballkani

Foto: Arkiv

Ballkani dhe Shamrock Rovers kanë barazuar pa gola pas pjesës së parë në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Ballkani kishte më shumë raste për shënim, ndërsa pati gjashtë tentime, dy prej të cilave përfunduan në kornizën e portës. 

Rast të rrezikshëm pesë minuta pa u mbyllur kjo pjesëlojë pati edhe Shamrock Rovers. 
Por ishte portieri slloven Adnan Goluboviç që e shpëtoi skuadrën e tij pa pranuar gol.

Pesë minuta nga përfundimi i pjesës së parë, shpëton Ballkani

1 muaj më parë / 7 gus 2025 21:16
Ballkani

Foto: Arkiv

Portieri i Ballkanit, Goluboviç, e ka shpëtuar skuadrën e tij pa pranuar gol në minutën e 40-të të ndeshjes. 

Ai priti një gjuajtje me kokë, kur topi po shkonte në drejtim të portës së tij.

20 minuta lojë në “Fadil Vokrri”, ende pa gola

1 muaj më parë / 7 gus 2025 20:56
ballkani

Ballkani ka pasur më shumë iniciativë në 20 minutat e para të ndeshjes ndaj Shamrock Roversit irlandez. 

Por gola ende nuk janë realizuar. 

Dy gjuajtje drejt portës i pati skuadra suharekase, tri herë kampione e Kosovës.

Ballkani e sulmon Shamrockun me tre sulmues

1 muaj më parë / 7 gus 2025 19:37
Ballkani

Ballkani i udhëhequr nga trajneri Orges Shehi do të luajë me tre sulmues përballë skuadrës më të suksesshme irlandeze, Shamrock Rovers. 

Sulmi i tri herë kampionit të Kosovës do të përbëhet nga Ëalid Hamidi, Sunday Adetunji dhe Almir Kryeziu. 

Adnan Goluboviç është në portë, ndërsa në mbrojtje janë kapiteni Arbër Potoku, Gentrit Halili, Ivica Batarelo dhe Geralb Smajli. 

Ardit Deliu, Giovanni dhe Albert Diene luajnë në mesfushë. 

Ndeshja që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:30, është e para e rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Në rrethin e dytë kualifikues, Ballkani e eliminoi Florianan e Maltës.