Katër prej skuadrave më të mëdha evropiane përballen në dy top-ndeshje të Ligës së Kampionëve.
Të martën janë ndeshjet e para të xhiros së katërt të fazës së ligës, ndërsa vëmendja do të jetë në “Parkun e Princave” në Paris dhe në “Anfield” të Liverpoolit.
Nga ora 21:00 takohen Paris Saint-Germaini e Bayern Muncheni si dhe Liverpooli e Real Madridi.
Tri prej këtyre skuadrave kanë pikë maksimale pas xhiros së tretë të Championsit. Parisi është i pari me nëntë pikë, sa i ka edhe Bayerni në vendin e dytë dhe Real Madridi në të pestin. Liverpooli nisi më zbehtë dhe i ka gjashtë pikë në vendin e dhjetë.
Spektakli i futbollit është i garantuar, ndërsa të gjitha skuadrat synojnë fitore për të dëshmuar se me të drejtë pretendojnë suksesin në garën elitare evropiane.
Në formën më të mirë është Bayerni, që ka seri impresive të fitoreve. Skuadra bavareze ka fituar të gjitha nëntë ndeshjet në Bundesligë, tri të Championsit, dy të Kupës së Gjermanisë dhe një për Superkupë. Pra është në seri rekorde prej 15 fitoreve në fillim të edicionit.
Humbjen e fundit Bayernit ia ka shkaktuar pikërisht Parisi, në çerekfinale të Botërorit për klube, më 5 korrik.
“E dimë nga ndeshjet e kaluara që kemi luajtur me Parisin se mund të garojmë kundër këtij ekipi. Në ndeshjen e kaluar në SHBA nuk ishim më keq se PSG-ja. Ishim ekip shumë i mirë. Kemi shumë besim në cilësinë që kemi dhe përballemi me fituesin në fuqi të Ligës së Kampionëve me shumë optimizëm”, ka thënë futbollisti i Bayernit, Serge Gnabry.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka theksuar se ndeshja nuk e përcakton cila është skuadra më e mirë në Evropë. Ka thënë se për këtë duhet të pritet fundi i edicionit.
“Momentalisht Bayerni është shumë i fortë. Por gjithnjë është shumë i mirë. E dimë sa e vështirë do të jetë ndeshja, por ne jemi gati”, ka thënë Enrique.
Ai pret ndeshje interesante. Ka thënë se dy ekipet do të mundohen të krijojnë situata të ngjashme, me principe të ngjashme të lojës.
“Të fitosh 15 ndeshje rresht është e jashtëzakonshme, por në ‘Parkun e Princave, me tifozët tanë dhe atmosferën, kemi besim se do ta përballojmë presionin e ekipit të Bayernit”, ka shtuar Enrique.
Spektakël pritet të ofrojë edhe ndeshja në “Anfield” mes Liverpoolit dhe Real Madridit.
Liverpooli në fundjavë fitoi 2:0 ndaj Aston Villas. Me një tjetër fitore do të dëshmonte se po e kalon krizën e thellë të rezultateve.
Ndeshjen e kaluar në Champions, “të kuqtë” e fituan 5:1 ndaj Eintracht Frankfurtit në Gjermani. Por humbën gjashtë prej shtatë ndeshjeve që i luajtën nga 27 shtatori e tutje.
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka konfirmuar se Alisson Becker, Jeremie Frimpong dhe Alexander Isak do të mungojnë ndaj madrilenëve.
Në “Anfield” kthehet Trent Alexander-Arnold, që në verë iu bashkua Madridit nga Liverpooli. Slot ka folur shumë mirë për Alexander-Arnoldin si person dhe si lojtarë. Ka thënë se Alexander-Arnold do të ketë pritje të ngrohtë prej tij.
“Xabi Alonso po bën punë të jashtëzakonshme, por Carlo Ancelotti bëri njëjtë. Madrilenët kanë shtuar disa lojtarë që gjithnjë mund të ndikojnë në mënyrën e lojës. Por Madridi ishte shumë i mirë edicionin e kaluar dhe është shumë i mirë edhe tani. Por edhe ne jemi ekip shumë i mirë”, ka thënë Slot.
Me Alonson, Real Madridi po ka rezultate të mira. Udhëheq në La Liga me 30 pikë, pesë më shumë se Barcelona. Në fundjavë fitoi 4:0 ndaj Valencias, ndërsa më 26 tetor e fitoi “klasiken” me Barcelonën me rezultatin 2:1.