Cole Palmer i Chelseat do të pushojë në tri javët e ardhshme pasi mesfushori me tipare sulmuese vazhdon të ketë lëndim muskulor.
Palmer u desh të zëvendësohej në pjesën e parë në vikendin e kaluar, në disfatën nga Manchester Unitedi.
Ai ishte prej më të mirëve në triumfin e Chelseat në Kupën e Botës për Klube në muajin korrik.
Chelsea do të përballet me Brightonin dhe Liverpoolin në Premier League, si dhe me Benfican e Jose Mourinhos në Ligën e Kampionëve, para pushimit në muajin tetor, shkaku i angazhimeve të përfaqësueseve.
“Kemi vendosur që ta ruajmë paksa Colen, në mënyrë që lëndimi i tij të mos keqësohet. Kemi vendosur që ai të pushojë për tre javë në mënyrë që të jetë 100 për qind i gatshëm pas pushimit në tetor”, ka deklaruar të premten në konferencën për shtyp trajneri Enzo Maresca.
Në 10 ndeshje të këtij sezoni, Palmer ka realizuar pesë gola e dy asistime.