Legjenda gjermane e futbollit, Rudi Voller, e vlerëson shumë të rëndësishme për Bayer Leverkusenin, ardhjen e Granit Xhakës.
Xhaka ishte transferuar te skuadra gjermane dy vjet më parë nga Arsenali. Në edicionin e parë e udhëhoqi Leverkusenin drejt titullit të kampionit, pa asnjë humbje të pësuar.
Voller është drejtor sportiv i Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe fqinj i Xhakës.
“Po, e shoh atë dy apo tri herë në javë kur i dërgon fëmijët në çerdhe. Ardhja e tij dy vjet më parë ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për Bayer Leverkusenin. Edhe për faktin që nuk ishte transferim tipik për Leverkusenin. Ai ishte relativisht i shtrenjtë për moshën që kishte. Zakonisht, Bayer Leverkuseni angazhon lojtarë më të rinj që mund të rishiten. Pra ishte një vendim i guximshëm nga klubi, por që ia vlejti plotësisht. Graniti ishte vendimtar në kampanjën e edicionit të kaluar që përfundoi me titull të kampionit”, ka thënë Voller në një intervistë për “Blick”.
65-vjeçari ka bërë karrierë impresive te skuadra si Werder Bremen, Roma, Marseille dhe Bayer Leverkusen. I njohur për stilin e veçantë, ai i ka luajtur 90 ndeshje për Gjermaninë, duke i realizuar 47 gola. Si trajner ka drejtuar Bayer Leverkusenin, Gjermaninë e Romën. Por thotë se ka trajnerë më të mirë se ai dhe për këtë arsye ka vendosur për rol tjetër drejtues. Si drejtor sportiv i federatës gjermane, Voller çmohet në Gjermani dhe jo vetëm.