Sulmuesi Rafael Leao ka thënë se refuzoi kalimin tek Interi në vitin 2019, vetëm pak ditë para se të merrte vendim që t’i bashkohet Milanit.
Në atë kohë, Leao ishte duke luajtur për klubin francez, Lille.
Portugezi në një intervistë për “Say Less Podcast” tregoi se si drejtori sportiv i Lillet i tha që klubi ishte afër që ta shiste tek Interi.
“Isha gati të shkoja tek Interi. Drejtori sportiv më tha, Rafa, jemi gati që të shesim tek Interi. Unë i thashë jo. Ishte sezoni im i parë profesional. Ai tha se ishte një mundësi e mirë për klubin dhe për mua. Por unë i thashë jo. Pas disa javësh drejtori u kthye dhe tha se Milani ishte i interesuar. Nëse vjen me një ofertë, do ta pranojë. Kur Maldini më telefonoi, isha në hotel gjatë grumbullimit parasezonal. Erdha në Milano me familjen time, kalova një natë në hotel. E kuptova sa i madh është klubi kur luajta ndeshjen time të parë në shtëpi. Është diçka që një lojtar duhet ta ndiejë për të kuptuar sa e rëndësishme ose sa e madhe është të luash për Milanin”, ka thënë Leao.
Sulmuesi i krahut te Milani u transferua për 49 milionë euro.
26-vjeçari deri më tani me “kuqezinjtë” ka zhvilluar 261 ndeshje duke kontribuar me 71 gola dhe 62 asistime.