Futboll

Laçi me mesazh për tifozët e Rizesporit

laci

Të dielën e kaluar skuadra turke, Rizespor, njoftoi për transferimin e mesfushorit Qazim Laçi.

Laçi vendosi që karrierën ta vazhdojë në Turqi pas aventurës që e pati te Sparta e Pragës në Çeki. 29-vjeçari te Sparta e Pragës qëndroi për dy edicione. Ai me Rizesporin ka nënshkruar kontratë trevjeçare.

Sipas faqes “transfermarkt”, transferimi i Laçit është bërë për 800 mijë euro.

Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë në një intervistë të shtunën për “Anadolu Ajansi”, iu dërgoi mesazh tifozëve të Rizesporit. Ai deklaroi se tifozët do të shohin një lojtar që nuk dorëzohet kurrë në fushë.

“Tifozët do të shohin një lojtar që nuk dorëzohet kurrë në fushë dhe lufton vazhdimisht për veten dhe ekipin e tij. Klubi ynë ka objektiva dhe unë dua të kontribuoj sa më shumë që të mundem për këto objektiva. Ndër pritjet tona është një vend në garat evropiane këtë vit. Ky objektiv është motivim shtesë për mua. Do të bëj më të mirën për ekipin”, ka thënë mesfushori me tipare defensive.

Ai me Kombëtaren e Shqipërisë ka katër gola të shënuar në 40 ndeshjet e luajtura.