Futboll

Kundërshtari evropian i Prishtinës përballet me problemin e shumë skuadrave kosovare

Larne

Ballkani të martën mbrëma e luajti në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndeshjen evropiane me Florianan e Maltës. Në Prishtinë ndeshje evropiane, përkatësisht të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës, luajtën edhe Drita e Gjilanit dhe Malisheva.

Stadiumi në Prishtinë është i vetmi në vend që plotëson kriteret e kërkuara për ndeshje të kupave evropiane, përfshirë ato të raundeve kualifikuese. Kjo vlerësohet se ndikon që numri i tifozëve të jetë shumë më i vogël, e rrjedhimisht edhe presioni ndaj skuadrave kundërshtare.

Por jo vetëm skuadrat kosovare përballen me këtë problem.

Prishtina të enjten prej orës 21:00 e luan ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Përballet me skuadrën nga Irlanda e Veriut, Larne. Ndeshja megjithatë nuk do të zhvillohet në stadiumin e Larnes, “Inver Park”.

Larne e pret Prishtinën në stadiumin “Ballymena Showgrounds” në qytetin Ballymena, rreth gjysmë ore larg qytetit Larne.

Larne luajti në Ballymena edhe ndaj Audas së Letonisë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Dhe në stadium ishin vetëm 1140 shikues.

Që në fund të prillit ishte bërë e ditur se Larne nuk do të mund të luajë në shtëpi ndeshje evropiane. Fusha e stadiumit nuk kishte plotësuar kriteret e kërkuara sipas standardit FIFA Pro. Fusha i është afruar jetëgjatësisë natyrore, ndërsa klubi ka kërkuar fonde për ta shndërruar fushën me bari artificial.

Vjet Larne i kishte luajtur në stadiumin e saj ndeshjet e raundeve kualifikuese të Ligës së Konferencës. Kishte arritur sukses të madh duke u kualifikuar në fazën e ligës. Në fazën e ligës ndeshjet i kishte zhvilluar në “Windsor Park” të Linfieldit. Probleme me fushë Larne kishte pasur edhe dy vjet më parë. Dhe po ashtu ishte zhvendosur në një stadium tjetër për ndeshje evropiane.

Për dallim nga Larne, por edhe nga Drita, Ballkani e Malisheva, Prishtina e ka “luksin” të luajë në stadiumin e saj. Ndeshja e kthimit është më 31 korrik nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, që për shumë kohë është quajtur stadiumi i qytetit.

Fakti se Larne vjet arriti në fazën e ligës, dëshmon se Prishtina nuk do ta ketë lehtë. Vjet Larne e kishte eliminuar pikërisht Ballkanin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kishte fituar 1:0 në “Fadil Vokrri”, ndërsa Ballkani kishte fituar 1:0 në Larne. Në penallti skuadra nga Irlanda e Veriut ishte më e suksesshme.

Në edicionin 2023/2024 të Ligës së Konferencës, Ballkani kishte “shkatërruar” Larnen në dy ndeshje të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kishte fituar 3:0 në “Fadil Vokrri” dhe 4:1 në Belfast.

Prishtina po paraqitet në raundin e dytë të Ligës së Konferencës pasi u eliminuar nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Liga e Evropës është niveli i dytë i garave kontinentale, ndërsa Liga e Konferencës niveli i tretë.

Prishtina të mërkurën është vendosur në Belfast, ndërsa rrugës për në Irlandë të Veriut ka qëndruar tri ditë në Paris. Nga udhëtimi i gjatë te Prishtina shpresojnë të kthehen me rezultat të favorshëm.