Liridon Latifi ka kujtime shumë të bukura si lojtar i Prishtinës, në stadiumin e kryeqytetit. Nga klubi i futbollit Prishtina ishte larguar si fitues i dy titujve të kampionit të Kosovës.
Si fitues synon të largohet edhe të enjten mbrëma.
Në stadiumin që tani mban emrin e legjendës Fadil Vokrri, Latifi dhe lojtarët tjerë të Shkëndijës së Tetovës do të përballen me Dritën e Gjilanit në prag të festës së flamurit.
Ndeshja e dy prej skuadrave më të rëndësishme shqiptare është në natën para festës më të madhe të shqiptarëve, 28 Nëntorit. I takon xhiros së katërt të fazës së ligës në Ligën e Konferencës, ndërsa luhet të enjten nga ora 21:00.
“Ndeshja e së enjtes është më speciale se ndeshjet tjera për mua, pasi po kthehem të luaj në shtëpi, në stadiumin ku unë fitova trofeun e parë”, ka thënë Latifi për KOHËN, të martën.
“Do të jetë një ndeshje festive, duke marrë parasysh 28 Nëntorin, datë shumë e veçantë për gjithë shqiptarët. E kemi ditën e flamurit, ditë e shenjtë për gjithë shqiptarët. Duhet të festojmë të gjithë. Do të jetë ditë shumë e bukur për të gjithë”.
Pas largimit nga Prishtina, Latifi, nuk ka luajtur më në stadiumin ku u zhvillua si lojtar.
“Kam kujtime të bukura në këtë stadium, pasi me Prishtinën kam fituar dy vjet rresht titullin e kampionit. Isha 18-vjeçar dhe kanë qenë ndër hapat e parë të mi si lojtar profesionist. Kam kaluar kohë të bukura në këtë stadium. Saktësisht janë 11 vjet nga ndeshja ime e fundit në stadiumin e Prishtinës. Janë bërë shumë vjet që unë jam larguar nga Prishtina dhe do të jetë ndjenjë më ndryshe”, ka theksuar Latifi.
Ai ishte larguar në vitin 2015 nga Prishtina. Atëbotë kalimi te Skënderbeu i Korçës ishte vlerësuar hap para në karrierë. Klubet e Kosovës ende nuk kishin të drejtë pjesëmarrjeje në kupat evropiane. Por tashmë Kosova ka bërë hapa gjigantë me klubet e saj në Evropë.
Pas Ballkanit, edhe Drita po paraqitet në mënyrën më të mirë në garën e tretë të UEFA-s për nga niveli. Ballkani u paraqit dy herë në grupet e Ligës së Konferencës, kurse tashmë Drita ka shënuar një fitore dhe ka dy barazime në fazën e ligës të kësaj gare. Faza e ligës ka zëvendësuar atë grupore.
Edhe Shkëndija ka një fitore, ndërsa ka edhe një barazim dhe një humbje.
Latifi synon fitoren e dytë me Shkëndijën në “Conference League”. 31-vjeçari për ekipin tetovar këtë edicion ka shënuar gjashtë gola në 23 ndeshje në të gjitha garat. Ka edhe tri asistime.
“Sa i përket festës në fushë, më së miri do ta tregoj vetë fusha e lojës. Ai që do të jetë më i miri, kush vrapon, sakrifikon më shumë do ta fitojë atë ndeshje. Kualiteti është i rëndësishëm, por edhe Drita ka kualitet shumë të madh. Gjasat janë të barabarta. Shpresoj që ne ta mbyllim ndeshjen sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Liridon Latifi.
Te Shkëndija luan edhe Endrit Krasniqi. Krasniqi më herët ka luajtur për Dritën e Gjilanit e po ashtu edhe për Prishtinën.
Edhe për Krasniqin do të jetë kthim emocional në Prishtinë.