Futboll

Kryeziu i sheh reale gjasat për kualifikim në Evropianin U21

Hekuran Kryeziu

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll do t’i luajë dy ndeshje të rëndësishme kualifikuese për Kampionatin Evropian që mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri dhe Serbi. 

Më 27 mars, Kosova U21 luan kundër Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse më 31 mars ndaj Spanjës në udhëtim.

Janë dy ndeshje që përcaktojnë “fatin” e Kosovës U21 në këtë cikël kualifikues.

Kosova është në vendin e tretë me tetë pikë. Renditet prapa lideres Spanjës që ka 15 pikë dhe Finlandës që ka dhjetë pikë.

Rumania është e katërta me shtatë pikë, derisa në pozitën e parafundit është Qiproja me tri pikë. San Marino është në vendin e fundit pa pikë.

Në pesë ndeshjet e para Kosova U21 u drejtua nga Afrim Tovërlani. Ndihmës i Tovërlanit ishte Hekuran Kryeziu.

Ish-mesfushori i Kosovës, Kryeziu, debuton si selektor. Ai mori përgjegjësinë pas largimit të Tovërlanit, i cili mori drejtimin e Prishtinës.

Kryeziu thotë se Kosova U21 ka ende gjasa për kualifikim në Evropianin në Shqipëri dhe Serbi. Ka vlerësuar punën e Tovërlanit.

“Afrim Tovërlani ka bërë një punë të jashtëzakonshme me stafin. Kemi fituar një pikë ndaj Finlandës, edhe ndaj Rumanisë po ashtu. Por mos të harrojmë, kemi pasur vetëm një humbje nga Spanja. Prandaj, rrugën që e ka nisur Afrim Tovërlani do të provojmë ta vazhdojmë. Do të jenë ndeshje të vështira në mars kundër Rumanisë dhe Spanjës. Por do të mundohem ta vazhdojmë sa më mirë rrugën e nisur nga Afrim Tovërlani”, ka thënë Kryeziu në podkastin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kryeziu e vlerëson sfidë punën e trajnerit.

“Për mua është krenari dhe kënaqësi ta kem këtë rol. Nuk e ndiej veten në presion, por sukseset dhe rezultatet priten gjithmonë. Kemi një staf që jemi bashkë një vit, që do ta japim maksimumin. Gjasat janë reale. Rumania është shumë herë e pranishme në Evropiane, po ashtu edhe Finlanda. E dimë se do të jetë e vështirë, por ne do të provojmë përderisa janë ende reale gjasat”, ka shtuar Kryeziu.
Ai ka vlerësuar rezultatet e arritura në pesë ndeshjet e para të Kosovës. Veçon barazimet në udhëtim ndaj Finlandës dhe Rumanisë.

“Ne jemi një popull që bëhemi euforikë shpejt. Këto pesë ndeshje kanë qenë të mira, sidomos rezultatet, por mos të harrojmë Rumania, Finlanda, Spanja janë shtete që kanë histori. Por derisa janë gjasat, ne do të mundohemi të arrijmë sukses”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka zbuluar gjatë intervistës se kishte biseda edhe me Shqipërinë para se të merrte vendimin të luante për Kosovën. 

Kryeziu është vlerësuar goxha shumë për paraqitjet e tij me fanellën e “Dardanëve”.

Ai ka vlerësuar punën e Bernrd Challandesit te Kosova. Ka thënë se ka mësuar shumë nga zvicerani, sidomos në aspektin e krijimit të grupit, mentalitetit dhe disiplinës.

Kryeziu ka bërë karrierë të mirë në Zvicër, sidomos te Luzerni dhe Zurichu.

Para se t’i bashkohej Kosovës në vitin 2015, luajti për grupmoshat e reja të Zvicrës. Me fanellën e “Dardanëve” luajti 30 ndeshje.