Futboll

Kreshnik Hajrizi, mbrojtësi që u dëshmua shumë i vlefshëm për Kosovën

Kreshnik Hajrizi

Më 18 nëntor të vitit 2023, Kreshnik Hajrizi kishte luajtur së fundi për Kosovën. Ishte paraqitur pak minuta në ndeshjen ndaj Zvicrës, që përfundoi 1:1. Ishte grumbulluar edhe në qershor të këtij viti dhe u ftua nga Franco Foda për ndeshjet me Slloveninë dhe Suedinë.

Ndaj Sllovenisë, më 10 tetor, qëndroi në stol. Ndërkohë ndaj Suedisë, të hënën në Goteborg, kompletoi ndeshjen në qendër të mbrojtjes, përkrah Albian Hajdarit e Ilir Krasniqit. Ishte njëri prej tre lojtarëve me notën më të lartë te Kosova, sipas “Sofa Score”. 

Kosova fitoi 1:0, nuk pësoi gol dhe kështu përballoi forcën sulmuese të Suedisë. Hajrizi, bashkë me mbrojtësit e tjerë dhe portierin Aro Muriq e përfunduan punën me sukses.

26-vjeçari e shfrytëzoi maksimalisht rastin e ofruar nga selektori Foda. Ai u aktivizua në mungesë të mbrojtësve të tjerë të qendrës, ndërsa dëshmoi se është plotësisht i denjë për vend në përfaqësuese.

“Jam i kënaqur me paraqitjen personale dhe me paraqitjen e të gjithë ekipit. Është krenari që ndihmova ekipin dhe që tregova që mund të jap kontribut për Kombëtaren”, ka thënë Hajrizi të mërkurën për KOHËN.

Te Suedia luajtën yje të Premier Leagues, si Alexander Isak, Viktor Gyokeres e disa të tjerë. Por ata u mbajtën të qetë nga Hajrizi me shokë.

“Ishte kënaqësi të përballem me lojtarë të kalibrit më të lartë të Premier Leagues. Jam shumë i lumtur që ia dolëm me sukses”, ka shtuar Hajrizi.

Ai tashmë i ka pesë paraqitje me Kosovën. Debutoi me Alain Giressen. Ka luajtur edhe për Kosovën U21, ndërsa ishte edhe pjesë e Zvicrës U15, U16 dhe U17. Te Kosova debutoi ndaj Ishujve Faroe, më 19 nëntor 2022. Një vit më pas luajti ndaj Andorrës, Izraelit e Zvicrës.

Por paraqitja ndaj Suedisë nuk krahasohet me atë të mëparshme. Hajrizi është i vetëdijshëm për këtë. 

“Atmosfera në stadium ishte e jashtëzakonshme. Më ka mbetur në mendje mënyra se si e përjetuam si ekip çdo moment dhe si reagoi skuadra në çdo situatë të vështirë”, ka thënë Hajrizi.

Kosova tani është në pozitë të mirë që ta sigurojë të paktën plejofin e kualifikimeve për Botëror. Por mund të kualifikohet edhe direkt.

“Besoj që jemi në rrugë të mirë. Nëse vazhdojmë me këtë angazhim dhe këtë mentalitet, mund t’i arrijmë të gjithë”, thotë mbrojtësi i qendrës.

Ai është zhvilluar kryesisht tek Young Boysi në Zvicër. Më pas ishte te Chiasso e te Lugano. Pati një periudhë te Lodzi në Poloni, prej nga u kthye te Sioni. Vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e Sionit në Superligën zvicerane.

Por me paraqitje si ajo ndaj Suedisë, Hajrizi mund të jetë rrugës për ndonjë ligë e skuadër më të madhe.

“Këto ndeshje të japim vetëbesim dhe përvojë. Çdo paraqitje me Kombëtaren është motiv shtesë që të ecim përpara në karrierë. Besoj se do të më ndihmojë që të zhvillohem në karrierë si me Kosovën ashtu edhe në nivel të klubit”, ka theksuar Hajrizi.

Ai tashmë është kthyer te Sioni dhe po përgatitet për ndeshjet e radhës. Por me paraqitjen ndaj Suedisë thuajse e ka siguruar ftesën e Fodas për ndeshjet vendimtare të nëntorit.